OVL-UÇK i drejtohet Policisë: Mbani duart larg fëmijëve të dëshmorëve, veteranëve dhe qytetarëve

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka reaguar pas zhvillimeve gjatë protestës në Prishtinë, duke iu drejtuar Policisë së Kosovës me thirrje për ndaljen e asaj që e cilëson si “dhunë të tepruar dhe të paprovokuar”. Në një postim të publikuar gjatë protestës, OVL-UÇK u ka bërë thirrje zyrtarëve policorë që të mos…

Lajme

05/10/2026 21:13

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka reaguar pas zhvillimeve gjatë protestës në Prishtinë, duke iu drejtuar Policisë së Kosovës me thirrje për ndaljen e asaj që e cilëson si “dhunë të tepruar dhe të paprovokuar”.

Në një postim të publikuar gjatë protestës, OVL-UÇK u ka bërë thirrje zyrtarëve policorë që të mos përdorin forcë ndaj fëmijëve të dëshmorëve, invalidëve, veteranëve dhe qytetarëve.

“Polici, e dimë që jeni me urdhër dhe se po zbatoni urdhra. Por mbani duart larg fëmijëve të dëshmorëve, invalidëve, veteranëve dhe qytetarëve të këtij vendi”, thuhet në reagimin e organizatës.

OVL-UÇK ka kërkuar nga Policia që të ndalet, siç shprehet organizata, “dhuna e tepruar dhe e paprovokuar”, duke theksuar se protesta, sipas tyre, nuk është e drejtuar kundër policëve.

“Ne nuk kemi punë me ju. Kemi punë me përfaqësuesit e popullit dhe kërkojmë që ata të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre”, thuhet më tej në postim.

Në fund të reagimit, OVL-UÇK i ka bërë thirrje Policisë që uniforma e saj të mos përdoret, siç pretendohet në reagim, si mjet dhune ndaj qytetarëve.

Reagimi vjen në një kohë kur protesta pranë institucioneve shtetërore në Prishtinë është shoqëruar me tensione dhe ndërhyrje të Policisë së Kosovës.