Periudha raportuese e këtij dokumenti është nga 1 shtatori i vitit 2024 deri më 1 shtator 2025. Raporti përpilohet nga të dhëna të marra nga shumë burime, përfshirë nga Qeveria e Kosovës, shtetet anëtare të BE-së, raporte të Parlamentit Evropian dhe informacione nga organizata të ndryshme joqeveritare ndërkombëtare dhe vendore.
Osmani takoi Orav, pranoi Raportin për Kosovën 2025 nga KE
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ambasadorin e BE-së, Aivo Orav i cili ia ka dorëzuar Raportin për Kosovën 2025 nga Komisioni Evropian. Në këtë takim, Presidenca e Kosovës njofton se është diskutuar mbi gjetjet e raportit, që ka vlerësuar pozitivisht progresin e Kosovës në disa fusha, por njëkohësisht ka evidentuar disa…
Lajme
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ambasadorin e BE-së, Aivo Orav i cili ia ka dorëzuar Raportin për Kosovën 2025 nga Komisioni Evropian.
Në këtë takim, Presidenca e Kosovës njofton se është diskutuar mbi gjetjet e raportit, që ka vlerësuar pozitivisht progresin e Kosovës në disa fusha, por njëkohësisht ka evidentuar disa sfida që mbeten për t’u adresuar.
“Presidentja Osmani theksoi se këto gjetje duhet të trajtohen me prioritet, me qëllim që Kosova të vazhdojë me hapa të vendosur dhe në ballë të reformave drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ajo falënderoi Ambasadorin Orav për mbështetjen e vazhdueshme të BE-së, duke ritheksuar përkushtimin e palëkundur të popullit të Kosovës për integrim në familjen evropiane. Presidentja theksoi se ky proces kontribuon jo vetëm në prosperitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, por edhe në paqen dhe sigurinë afatgjatë në rajon e më gjerë”, thuhet në komunikatën e Presidencës.
Komisioni Evropian e ka publikuar të martën Raportin e Progresit për Kosovën për periudhën 2024-2025 ku thuhet se shteti ka bërë përparim, qoftë edhe të kufizuar, në disa fusha, por vë në pah ndikimin e ngërçit politik në rrugën evropiane të Kosovës.
BE-ja i përpilon këto raporte për vendet që synojnë anëtarësimin në bllokun evropian.
“Periudha e raportimit u ndikua nga politikat e brendshme përçarëse dhe një fushatë përplasjesh përpara zgjedhjeve të përgjithshme më 9 shkurt 2025, pasuar nga një bllokim politik paszgjedhor për shkak të pamundësisë dhe mungesës së vullnetit politik të partive politike për të gjetur një mënyrë për krijimin e institucioneve. Qeveria ka qenë në status të Qeverisë në detyrë që nga 23 marsi i vitit 2025 dhe ka funksione të kufizuara ekzekutive për të realizuar operacione të përditshme”, thuhet në raport.
Bashkimi Evropian, sipas Raportit të Progresit, që nga maji i këtij viti ka ndërmarrë hapa “për heqjen graduale” të masave ndëshkuese që vendosi ndaj Kosovës më 2023 për shkak të situatës së tensionuar në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe.
Raporti përmend se Kosova nuk i ka ratifikuar marrëveshjet që do t’i mundësonin të përfitonte nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor “për shkak të ngërçit politik”.
Që nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Kosova ende nuk ka arritur të formojë ekzekutivin e ri, duke pamundësuar ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend.
Plani i Rritjes – paketë në vlerë prej 6 miliardë eurosh, synon përshpejtimin e rrugës së shteteve të rajonit në BE.
Kosovës i kanë rënë hise rreth 900 milionë euro – që do të thotë se për kokë banori është përfituesja më e madhe e këtyre mjeteve.