​Osmani reagon pas tërheqjes së Bekim Sejdiut nga kandidatura për president

Ish-presidentja Vjosa Osmani ka reaguar pas tërheqjes së Bekim Sejdiut nga kandidatura për president të Kosovës, duke thënë se ai meriton falënderim për gatishmërinë për t’i shërbyer vendit dhe për dinjitetin e treguar gjatë procesit. Deputetja e LDK-së, Osmani ka shkruar në Facebook se, Sejdiu e përballoi me dinjitet një proces ku, sipas saj, personalja…

Lajme

14/09/2026 20:27

Ish-presidentja Vjosa Osmani ka reaguar pas tërheqjes së Bekim Sejdiut nga kandidatura për president të Kosovës, duke thënë se ai meriton falënderim për gatishmërinë për t’i shërbyer vendit dhe për dinjitetin e treguar gjatë procesit.

Deputetja e LDK-së, Osmani ka shkruar në Facebook se, Sejdiu e përballoi me dinjitet një proces ku, sipas saj, personalja shpesh u vendos mbi institucionalen.

“Bekim Sejdiu meriton falënderim. Jo vetëm për gatishmërinë për t’i shërbyer vendit, por edhe për mënyrën se si e përballoi një proces ku personalja shpesh u vendos mbi institucionalen”, ka thënë Osmani.

Sipas saj, humbja më e madhe nuk është vetëm fakti që nuk u arrit të zgjidhej presidenti, por edhe humbja e një mundësie për të ndërtuar konsensus rreth njerëzve me dije, integritet dhe dinjitet.

“Ndoshta pikërisht këtu qëndron humbja jonë më e madhe: jo vetëm që nuk arritëm të zgjedhim Presidentin, por humbëm edhe një tjetër mundësi për të treguar se në Kosovë mund të ndërtojmë konsensus rreth njerëzve me dije, integritet dhe dinjitet”, ka deklaruar ajo.

Osmani ka theksuar se politika, fushatat dhe zgjedhjet kalojnë, por mënyra se si një njeri sillet kur vihet në sprovë, mbetet.

Ajo ka shtuar se edhe kur një përpjekje politike nuk përfundon me sukses, ajo mund të lërë pas një dëshmi të rëndësishme të karakterit.

Në fund, Osmani e ka falënderuar Sejdiun për gatishmërinë për t’i shërbyer Republikës dhe për dinjitetin që, sipas saj, tregoi deri në fund.

Më 31 gusht, emri i Bekim Sejdiut u prezantua për kandidat për president pas takimit të zhvilluar mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut. Megjithatë, pas kësaj 6 deputetë LDK-së u shpreheën kundër kanditaturës së Sejdiut për president.