Osmani e Kurti zotohen për drejtësi për personat e zhdukur gjatë luftës
Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti janë zotuar se nuk do të mungojë asnjëherë thirrja për drejtësi për personat e zhdukur gjatë luftës, gjatë vizitës në “Lëndinën e Pikëllimit”, në 25-vjetorin e masakrës së Mejës. Osmani, masakrën e Mejës e quajti “Srebrenica e Kosovës”, duke thënë se nuk do rreshtin së kërkuari drejtësi. “376…
Lajme
Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti janë zotuar se nuk do të mungojë asnjëherë thirrja për drejtësi për personat e zhdukur gjatë luftës, gjatë vizitës në “Lëndinën e Pikëllimit”, në 25-vjetorin e masakrës së Mejës.
Osmani, masakrën e Mejës e quajti “Srebrenica e Kosovës”, duke thënë se nuk do rreshtin së kërkuari drejtësi.
“376 civilë të pafajshëm iu këputën ëndrrat në gjysmë vetëm pse ishin shqiptarë. 376 familje pa më të dashurit e tyre e gjithë Kosova në dhimbje të përhershme. Meja është testament i kësaj dhimbje e vazhdueshme në çdo shtëpi të Kosovës. ‘Lëndina e Pikëllimit’ është vendi i së vërtetës sonë, rrëfimi i trishtë i 376 fateve njerëzore, Srebrenica e Kosovës”, ka thënë Osmani.
Kurti ka thënë se për shqiptarët stina e pranverës është stinë përkujtimore.
“Sivjet po bëhen 25 vjet kur lufta e arriti kulmin para se të përfundonte në qershor të atij viti. Viti 1999 ishte stinë e vrasjes në kuadër të stilit gjenocidal, andaj pranvera për ne është stinë përkujtimore. Në histori masakra në Mejë e Korenicë është më e madhja. Atë ditë u vranë 376 civilë të pafajshëm, në mesin e tyre nxënës e arsimtarë. Këtu i kemi varret e civilëve myslimanë e katolikë. Ju e keni të freskët mëngjesin e atij viti kur forcat paramilitare e ushtarake të Serbisë, i dëbuan civilët nga fshatrat e Gjakovës. Të dëbuarit i drejtuan nga Meja ku i plaçkitën dhe gratë e fëmijët i drejtuan për në Shqipëri, ndërsa burrat e djem të rinj u vranë në fshatin Mejë”, ka deklaruar Kurti.
Shefi i ekzekutivit ka thënë se edhe pas 25 vjet pas luftës, Kosova vazhdon të jetë në luftë të ashpër me Serbinë.
Në Kosovë më 27 prill shënohet Dita Kombëtare e të Zhdukurve me Forcë gjatë luftës. Rreth 6,000 njerëz u zhdukën gjatë luftës së fundit, prej të cilëve mbi 1.600 janë ende të pagjetur. /EO