Osmani: Drafti i Asociacionit të diskutohet me SHBA-të e jo me Lajçakun që nuk beson në pavarësinë e Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka mbajtur sot fjalimin e saj vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Osmani në këtë fjalim ka folur edhe për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, dialogun mes dy shteteve e themelimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe. Ajo e ka parë si të “pabalansuar” dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, pasi që…
Lajme
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka mbajtur sot fjalimin e saj vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Osmani në këtë fjalim ka folur edhe për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, dialogun mes dy shteteve e themelimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe.
Ajo e ka parë si të “pabalansuar” dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, pasi që sipas saj shteti i cili ka kryer agresionin e që është Serbia nuk ndodhet nën masa por Kosova e cila është viktima e këtij agresioni po.
Osmani ka treguar edhe për propozimin e saj që drafti i Asociacionit të fillohet që të diskutohet me SHBA-të e që sipas saj mos t’i lihet në dorë Lajçakut e as të tjerëve “që nuk besojnë në pavarësinë e Kosovës”.
“Kjo nuk ka nënkuptuar që unë po kërkoj themelim të asociacionit, por ka nënkuptuar se më shumë i kam besuar vetvetes sonë dhe Amerikës, sesa disa burokratëve nga shtetet jonjohëse, kam besuar se një draft statut ku mbrohet kushtetuta, mbrohet sovraniteti, mbrohen kufijtë tanë dhe mbrohet funksionaliteti i shtetit, më mirë hartohet nga vet ne që kemi marrë mandat ta mbrojmë Kosovën, sesa nga disa ‘ekspertë të jashtëm’ që kurrë nuk kanë besuar në projektin e Kosovës së pavarur, sovrane e të lirë”, ka thënë Osmani sot.
Ajo ka thënë se ndonëse ky propozim i saj ishte goditur dhe konsiderohej tradhti kombëtare, sot ajo thotë se po kërkohet e njëjta.
“Jemi pikërisht në momentin ku po kërkohet e njëjta, pra që draftin ta hartojmë ne. Por, sic dihet, vendimet e duhura duhet të merren edhe në momentin e duhur. Njësoj po ndodhë edhe këto ditë, me lloj lloj shpifjesh të ulëta se kinse Presidentja po kërkon ‘nënshkrim të njëanshëm të marrëveshjes’. Kjo është gënjeshtër. Ajo cfarë kam thënë është që 1/ zbatimi I marrëveshjes ka kuptim vetëm nëse zbatohet nga të dyja palët, dhe 2. Si alternative, si presidente e vendit besoj se nëse shihet përfundimisht se Serbia nuk do të zbatojë pjesën e saj të marrëveshjes (gjë që unë besoj se nuk do ta bëjë, edhe nëse e nënshkruan), atëherë ne do të duhej të diskutonim me aleatët tanë, zbatimin e pjesës sonë vetëm në shkëmbim të garancive ndërkombëtare që përfshijnë anëtarësimin në NATO e organizata ndërkombëtare, garancitë e sigurisë nëpërmjet BSA si dhe kampanjë të re të njohjeve. Thënë troq, për mua, më shumë sesa nënshkrimi I Presidentit të Serbisë ka rëndësi nënshkrimi I Presidentit të Amerikës. Shpresoj që jam mjaftueshëm e qartë”, ka shtuar Osmani. /Lajmi.net/