Operacioni “ORIENTI” – 325 kilogramë marihuanë të sekuestruara në Greqi, Policia e Kosovës kontribuoi në hetim
Autoritetet greke kanë arrestuar dy persona në Selanik dhe kanë sekuestruar rreth 325 kilogramë marihuanë, në kuadër të një operacioni ndërkombëtar kundër trafikimit ndërkufitar të narkotikëve. Operacioni, i koduar “ORIENTI”, është zhvilluar pas një hetimi të gjatë dhe bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Kosovës, Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe autoriteteve të Maqedonisë së Veriut…
Lajme
Autoritetet greke kanë arrestuar dy persona në Selanik dhe kanë sekuestruar rreth 325 kilogramë marihuanë, në kuadër të një operacioni ndërkombëtar kundër trafikimit ndërkufitar të narkotikëve.
Operacioni, i koduar “ORIENTI”, është zhvilluar pas një hetimi të gjatë dhe bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Kosovës, Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe autoriteteve të Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, transmeton lajmi.net.
Sipas Policisë së Kosovës, droga e sekuestruar kishte destinacion Turqinë.
Në këtë operacion, rol ka pasur edhe Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve, e cila ka kontribuar në shkëmbimin e informacioneve dhe koordinimin e veprimeve me autoritetet partnere.
Policia ka bërë të ditur se gjatë hetimit janë ndërmarrë edhe veprime policore dhe procedurale në territorin e Kosovës, ndërsa rasti vazhdon të jetë nën hetim.
“Operacioni ndërkombëtar ‘ORIENTI’ dëshmon se krimi i organizuar nuk njeh kufij dhe se bashkëpunimi ndërkombëtar është thelbësor për goditjen e rrjeteve kriminale”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Institucioni ka theksuar se bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë mbetet i rëndësishëm në luftimin e trafikimit të narkotikëve dhe krimit të organizuar ndërkufitar.
Policia e Kosovës ka vlerësuar gjithashtu se forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përfshirja e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë, përfshirë INTERPOL-in, janë të nevojshme për një luftë më efektive kundër rrjeteve kriminale./lajmi.net/