Nora Gjakova del me medalje të argjendtë nga Lojërat Evropiane të Minskut

Ishte sporti i xhudos që edhe një herë e la Kosovën me faqen e bardhë në botë, falë suksesit të vashave tona, Nora Gjakova e Majlinda Kelmendi.

Sport

22/06/2019 18:39

Nora Gjakova ishte ajo që arriti të fitonte medaljen e argjendtë në Lojërat Evropiane që po mbahen në Minsk të Bjellorusisë, pas medaljes së artë të Kelmendit, shkruan lajmi.net.

Gjakova po garonte në kategorinë deri në 57 kilogramë, kategori në të cilën u mposht vetëm në luftën e fundit, nga kundërshtarja ruse.

Xhudistja nga Kosova në luftën e parë ka mposhtur xhudisten Gneto Priscilla, të cilën e mposhti vetëm në ‘Golden Score’.

Në rrugën për në gjysmëfinale, Gjakova duhej të përballej me xhudisten gjermane, Pauine Starke, pengesë e cila u kalua me lehtësi nga Nora.

Ishte portugezja Telma Monteiro ajo që priste Norën në gjysmëfinale, por që nuk arriti ta ndalte ‘luaneshën’ nga Kosova, e cila arriti të siguronte finalen në këto gara që po mbahen në Minsk, shkruan lajmi.net.

Në finalen e madhe, kundërshtarja e Norës ishte Daria Mezhetskaia. Xhudistja nga Rusia ishte ajo që arriti ta mundte Gjakovën me rezultatin 1:0. Kështu, Nora Gjakova arriti të fitonte vetëm medaljen e argjendtë, duke shënuar edhe një tjetër sukses të madh për vetën, Kosovën dhe Driton Kukan. /Lajmi.net/