Ankohen prodhuesit vendor: Kërkojnë ndihmë nga shteti

Prodhuesit vendor në Kosovë janë ankuar për mungesë të përkrahjes nga ana e Qeverisë. Të njëjtit, kanë kërkuar nga shteti që t’i marrë më shumë parasysh prodhuesit vendor, dhe t’i stimulojë me masa më të favorshme. Përfaqësues të bizneseve kanë theksuar se ka rritje të prodhimit në vend, mirëpo jo edhe mbështetje ekzekutivi. Stimulimi me…

Lajme

19/05/2024 12:30

Prodhuesit vendor në Kosovë janë ankuar për mungesë të përkrahjes nga ana e Qeverisë. Të njëjtit, kanë kërkuar nga shteti që t’i marrë më shumë parasysh prodhuesit vendor, dhe t’i stimulojë me masa më të favorshme.

Përfaqësues të bizneseve kanë theksuar se ka rritje të prodhimit në vend, mirëpo jo edhe mbështetje ekzekutivi. Stimulimi me subvencione, apo masa të tjera është duke munguar nga ana e qeverisë tek prodhuesit vendor.

Menaxheri i fabrikës për prodhimin e transformatorëve, Andi Selimi derisa ka konsideruar se këto panaire janë të rëndësishme për të promovuar biznesin e tyre dhe shkëmbyer ide me të tjerët, është shprehur se presin më shumë ndihmë nga qeveria. Madje, në disa raste, ai thotë se po harrohen nga vet shteti, duke përmendur këtu një grant nga Ministria e Industrisë, Tregtisë, dhe Ndërmarrësisë, të cilët nuk kanë mundur të marrin pjesë për shkak të kodit.

Se duhet të ndihmohen më shumë bizneset e thotë edhe përfaqësues i një kompanie me shirita ngjitës në Kosovë, i cili prodhon mbi 50 lloje të shiritave dhe ngjitës, Martir Demiri.

Madje, Martir Demiri thotë se sfidë është edhe mungesa e fuqisë punëtore pas liberalizimit të vizave.

I pranishëm në panair ishte edhe menaxheri rajonal në Yildirim Group, Cemil Acar, i cili ka theksuar se janë duke bërë investime në Ferronikel në mënyrë që të fillojnë sa më shpejtë me prodhim. Ai ka thënë se kanë bërë investime për prodhimin e energjisë së gjelbër në mënyrë që të ulet kostoja e po ashtu edhe për të ndihmuar në reduktimin e emetimeve në atmosferë sa i përket nevojës për dioksid karboni.

Ndërsa ka shtuar se së fundmi kanë zhvilluar një takim me kryeministrin, Albin Kurti, derisa e ka vlerësuar si takim të frytshëm, pasi sipas tij, qeveria është zotuar se do të japin mbështetje Ferronikelit ditëve në vijim.