​Çeku: Do të marrim kredi për ndërtimin e Stadiumit Nacional

Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku ka paralajmëruar se ndërtimi i Stadiumit Nacional do të bëhet përmes një kredie nga një institucion financiar ndërkombëtar. Duke folur për KosovaPress, Çeku ka theksuar se Ministria e Sportit dhe ajo e Financave janë në fazën e negocimit për sigurimin e kredisë me kushte të volitshme, pasi…

Lajme

18/05/2024 13:16

Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku ka paralajmëruar se ndërtimi i Stadiumit Nacional do të bëhet përmes një kredie nga një institucion financiar ndërkombëtar.

Duke folur për KosovaPress, Çeku ka theksuar se Ministria e Sportit dhe ajo e Financave janë në fazën e negocimit për sigurimin e kredisë me kushte të volitshme, pasi kostoja e ndërtimit të stadiumit do të jetë tejet e lartë.

“Në bashkëpunim me Ministrinë e Financave ne tashmë jemi në fazën e negocimit të një kredie ndërkombëtare nga një institucion ndërkombëtar financiar që do të na ndihmojë ta nisim sa më parë ndërtimin e Stadiumit Nacional të Kosovës. Natyrisht që ne kemi thënë që duhet të bëjmë edhe pak analiza sa i përket lokacionit, jemi në përfundim edhe të atyre analizave dhe vlerësimeve. Këtë po e bëjmë edhe me institucionin financiar me të cilin po e negociojmë kredinë afatgjate në kushte shumë të volitshme për Kosovën, sepse do të na kushtojë shumë stadiumi nacional dhe në momentin që këto negociata e marrin një epilog, ne e kemi shumë më të qartë edhe formën e ndërtimit”, tha Çeku.

I pari i MKRS-së ka zbuluar gjithashtu se edhe operatori që do ta bëjë ndërtimin e Stadiumit Nacional do të jetë ndërkombëtar.

“Përveç që i duhet Kosovës për nevojat e futbollit, ky impiant do t’i shërbejë edhe Lojërave Mesdhetare, prandaj edhe kemi edhe nuk kemi kohë. Duhet të jemi shumë efikas në nisjen e punimeve që besoj shumë nëse realizohet në formën e një kredie ndërkombëtare, ku vlejnë rregulla të tjera pastaj edhe të prokurimit edhe të angazhimit të operatorëve për realizim, aty duhet të gjejmë edhe operatorë ndërkombëtarë që angazhohen për realizimin e atij stadiumi. Unë besoj që koha në dispozicion është e mjaftueshme që Kosova përfundimisht ta ketë Stadiumin Nacional reprezentativ, do të jetë një lloj simboli i Kosovës, do të jetë fytyra jonë para gjithë botës”, nënvizoi Çeku.

Çeku është shprehur i bindur se ndërtimi i stadiumit kombëtar do të nisë brenda vitit.

“Po, ne jemi duke punuar edhe në konsolidimin e projektit zbatues, sepse aty jemi në një fazë të projektit ideor të avancuar, aty po punojnë ekipet profesionale kryesisht të ministrisë, mirëpo në rastin e negocimit të kredive gjithmonë parashihen edhe ekspertizat. Është shumë me rëndësi që këtë ekspertizë ndërkombëtare ta sigurojmë edhe në rastin e projektit të Stadiumit Nacional…Në momentin që e kemi kredinë e siguruar edhe projektin përfundimtar edhe lokacionin, besoj që gjithçka do të jetë gati për të nisur punimet”, bëri të ditur i pari i Ministrisë së Sportit.