Njohje të reja do të vijnë

Ministri Enver Hoxhaj paralajmëron se njohje të reja për Kosovën do të vijnë në muajt në vijim.

Lajme

17/11/2013 22:00

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, në një intervistë për gazetën turke “Sunday’s Zaman”, ka pohuar se në muajt në vijim do të vijnë njohje të reja për Kosovën.

Ai ka thënë se rruga e Kosovës drejt integrimit të plotë në komunitetin e shteteve të pavarura është e paevitueshme.

“Ne vazhdojmë të punojë për më shumë njohje, dhe jam i sigurt se në muajt e ardhshëm disa shtete do të lëvizin në këtë drejtim”.

Ministri Hoxhaj ka deklaruar në vijim se Kosova angazhohet për anëtarësim në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, duke thënë se kjo do të ndihmonte në zhvillimin e vendit dhe fuqizimin e pozitës ndërkombëtare.

Ai, po ashtu, ka folur për përkushtimin e Kosovës për përmbushjen e të gjitha standardeve të nevojshme që të bëhet anëtare e NATO’s dhe BE’së.

“Ne jemi të vetëdijshëm se ky do të jetë një proces i gjatë, por ne kemi një konsensus kombëtar në çështjen e anëtarësimit në mekanizmat europianë”, ka deklaruar Hoxhaj për “Sunday’s Zaman”.