Njësitë Speciale në Shtërpce, largohen kamerat e vendosura ilegalisht nga strukturat serbe

Njësitë e Policisë së Kosovës janë duke realizuar një aksion të gjerë në Komunën e Shtërpcës.

Lajme

07/07/2022 08:18

Sipas raportimeve të para ky aksion policor lidhet me kamerat ilegale të vendosura në qytetin e Shtërpcës.

Lidhur me këtë aksion është deklaruar edhe Prokurori Rasim Maloku.

Maloku deklaroi se ky aksion nuk lidhet direkt me ndërtimet pa leje në Brezovicë, por ndërlidhet me disa të arrestuar në kuadër të aksionit të njohur si “Brezovica”, pasi që njëri prej tyre, saktësisht  ish-kryetari i komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq është edhe koordinator i strukturave ilegale.

“Këto struktura kanë menaxhuar me kamerat e sigurisë të cilat monitoruan lëvizjet e qytetarëve dhe institucionet publike të Kosovës e që këto informacione janë përcjellë në strukturat e sigurisë në Serbi”, tha Maloku.

Gjithashtu ai njoftoi se tashmë që nga orët e para të mëngjesit deri tani janë bastisur katër lokacione, nga ku janë hequr kamerat e sigurisë.

“Jemi prezent. Jemi duke e zbatuar një urdhëresë për kontrollimin e 4 lokacione.Jemi duke i sekuestruar të gjitha. Do të kryejmë kontrolle edhe në disa qendra ku dyshohet se po monitorohen kamerat e siguri”, shtoi ai.

Duhet përkujtuar që brenda këtij viti aksione të shumta policore pati në komunat me shumicë serbe, ku në shumë raste pati edhe persona të arrestuar./Lajmi.net/