Një shëtitje parazgjedhore

Hashim Thaçi ka dalë të dielën në Prizren. Ka pirë kafe në “Shatërvan” dhe ka bërë fotografi me qytetarë. E ka shfrytëzuar rastin edhe të bëjë fushatë për Kandidatin e tij Ramadan Muja.

Lajme

15/09/2013 15:54

Kryeministri Hashim Thaçi i është rikthyer qytetit të Prizrenit, në prag të zgjedhjeve lokale. Në shoqërim të Kandidatit të Partisë Demokratike për Kryetar të Prizrenit, Ramadan Muja, ai është relaksuar këtë të diel në “Shatërvan”, ku ka pirë kafe dhe ka bërë fotografi me qytetarë.

Kryeministri Thaçi dhe Kryetari aktual Muja kanë përuruar dhe një rrugë të re në lagjen “Tusuz”, ku në fjalimin e tij i pari i PDK’së ka gjetur fjalët më të mira për kandidatin e kësaj partie për ua udhëhequr Prizrenin.

“Ndaj gëzimin me qytetarët e kësaj lagjeje, të harruar nga qeveritë e mëhershme, por të rizgjuar me vendimmarrjen e Kryetarit Ramadan Muja dhe me mbështetjen tonë, edhe kjo lagje po modernizohet, po i jep kuptim qytetit të bukur të Prizrenit”.

“Kjo është një lagje e njerëzve punëtorë, të urtë, trima dhe tani një lagje moderne e qytetit të Prizrenit. Këto investime tregojnë se qeverisja e Mujës ka qenë e këtyre banorëve”.

“Kanë ndodhur ndryshime të mëdha dhe kam besim të fuqishëm se në mandatin e ardhshëm katër vjeçar do të ndodhin ndryshime edhe më të mëdha. Në këtë drejtim, i nderuari Kryetar Muja, do ta keni mbështetjen tonë të plotë”.

Thaçi, po ashtu, ka shprehur besimin e tij se Ramadan Muja do të jetë Kryetar në raundin e parë.

Kandidati i PDK’së, ndërkaq, deklaroi se në “Tusuz” janë bërë investime në infrastrukturë rrugore, ujësjellës dhe në sistemin telefonik.

Kryeministri Thaçi dhe Kryetari Muja kanë vendosor edhe  gurthemelin e bustit të dëshmorit të kombit, Komandantit të UÇK’së, Xhevat Berisha, në Prizren.