Një muaj më parë u la jashtë Kryesisë së LDK-së, tani Gaxherri thotë se Vjosa Osmani po kthehet në shtëpinë e vet

Besa Gaxherri, nga LDK ka folur për zhvillimet e fundit brenda kësaj partie dhe mundësinë e rikthimit të Vjosa Osmani në LDK, pas mbledhjes së mbajtur sot nga kryesia dhe kryetarët e degëve. Në Tëvë1, ajo bëri të ditur se partia tashmë ka hyrë në procesin zgjedhor, ndërsa përmendi edhe diskutimet për bashkimin me Osmanin.…

Lajme

06/05/2026 08:48

Besa Gaxherri, nga LDK ka folur për zhvillimet e fundit brenda kësaj partie dhe mundësinë e rikthimit të Vjosa Osmani në LDK, pas mbledhjes së mbajtur sot nga kryesia dhe kryetarët e degëve.

Në Tëvë1, ajo bëri të ditur se partia tashmë ka hyrë në procesin zgjedhor, ndërsa përmendi edhe diskutimet për bashkimin me Osmanin.

“Sot ka pasur një takim të kryesisë dhe kryetarëve të degëve. Ne kemi hyrë tash në procesin zgjedhor dhe po i bëjmë përgatitjet tona. Është paralajmëruar një bashkim apo një kthim i Vjosa Osmanit në LDK. Kjo çështje nuk është krejt e lehtë, sepse secili veprim ka historikun e vet. Të gjithë gabojmë dhe duhet të reflektojmë. Mua më vjen shumë mirë që Vjosa ka vendosur të mendojë për këtë çështje. Nga takimet që kam me elektoratin, ata po e presin këtë bashkim dhe po thonë se ajo duhet të kthehet,” ka deklaruar Gaxherri.

Ajo theksoi se, sipas saj, Osmani duhet të rikthehet në LDK dhe të kontribuojë në krijimin e një fryme të re bashkëpunimi brenda partisë.

“Unë mendoj se, nëse dëshiron të hyjë në garë, Vjosa duhet të kthehet në shtëpinë e vet. Ajo duhet të krijojë një sinergji pozitive bashkë me Lumir Abdixhiku dhe me të gjithë ne. Duhet t’i besojmë vetes për fitore fillimisht dhe pastaj të dalim para qytetarëve, sepse ata po na mbështesin dhe e duan këtë bashkim. Kjo duhet të bëhet për Kosovën,” është shprehur ajo.

Ndryshe pikërisht GaxheRri është ajo e cila nuk u përfshi fare në listën e Kryesisë së LDk-së, e pas kësaj ajo kishte deklaruar se për këtë çështje duhet pyetur Lumir Abdixhikun.

Madje ajo thoshte se “kjo gjë do ta dëmtojnë LDK-në, jo neve si individ. Nuk kam shumë nevojë për LDK-në, por LDK duhet të ketë nevojë për mua”, deklaroi Gaxherri më 15 prill.