Një muaj arrest shtëpiak ndaj personit që dyshohet se ka shkaktuar aksidentin me fatalitet në Bresje

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e sigurisë, arrest shtëpiak, në kohëzgjatje prej 1 muaji, të dyshuarit për aksidentin me fatalitet në Bresje të Fushë Kosovës. Sipas njoftimit të Themelores, gjyqtari i procedurës paraprake e ka marrë këtë vendim pasi Prokuroria kishte ndryshuar propozimin e saj. Sipas njoftimit, Prokuroria kishte kërkuar masën e…

Lajme

01/04/2025 18:11

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e sigurisë, arrest shtëpiak, në kohëzgjatje prej 1 muaji, të dyshuarit për aksidentin me fatalitet në Bresje të Fushë Kosovës.

Sipas njoftimit të Themelores, gjyqtari i procedurës paraprake e ka marrë këtë vendim pasi Prokuroria kishte ndryshuar propozimin e saj.

Sipas njoftimit, Prokuroria kishte kërkuar masën e arrestit shtëpiak, pasi familjet kishin dorëzuar dëshmi se janë pajtuar me njëra tjetrën.

“Gjatë mbajtjes së seancës dëgjimore sipas kërkesës së Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, në seancë dëgjimore Prokurori i Shtetit ka ndryshuar kërkesën për masë të sigurisë, ashtu që duke pasur parasysh faktin se familja e të pandehurit E.B me familjen e tani të ndjerit – viktimës kanë arritur një Marrëveshje Pajtimi, të prezantuar në gjykatë nga mbrojtësi i të pandehurit në formë të shkruar, ashtu që në vend të masës për caktim të paraburgimit i njëjti ka kërkuar nga gjykata caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit E.B. Gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së masës së arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një ( 1 ), ndaj të pandehuri E.B”, thuhet në njoftimin e Themelores.

E.Berjani, 28-vjeçar, kishte goditur për vdekje viktimën Selim Muçiqi, mbrëmjen e 30 marsit.