Një gur masiv po e pamundëson nxjerrjen e trupave të dy minatorëve që vdiqën në Artanë
Në minierën e Artanës po vazhdojnë përpjekjet për nxjerrjen e trupave të pajetë të dy minatorëve që humbën jetën sot tragjikisht.
Lajme
Pritjet për të pasur rezultate në gërmime janë shumë të vogla, pasi që ka një gur masiv që po e bën të vështirë nxjerrjen e trupave, ndonëse ata po shihen nga ekipet e kërkim-shpëtimit.
Fatmir Gërguri, kryeinspektor i minierave, shpreson që nxjerrja e trupave të pajetë të dy minatorëve të ndodhë sot. Ai megjithatë e pranon se nxjerrja e tyre është mjaft e vështirë.
“Në horizontin e pestë, në një shembje të një guri të rëndë, na kanë mbetur të vdekur dy minatorë. Jemi duke bërë çmos për të arritur t’i lirojmë. Janë të qasshëm, shihen, por nxjerrjen e viktimave e kemi ende shumë të vështirë”, tha Gërguri.
Haki Arifi dhe Idriz Gërbeshi mbetën të vdekur mëngjesin e sotëm në minierën e Artanës.
Ngjarja tragjike ka ndodhur ku në njërin nga horizontet e minierës së Artanës ka pasur shembje të dheut.
Dy personat që kanë humbur jetën tragjikisht ishin brenda derisa një pjesë e minierës u shemb, ndërkohë që disa të tjerë morën lëndime të lehta.
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, i cili ka bërë të ditur se Qeveria do të ndihmojë me nga 30 mijë euro familjarët e viktimave.