Nisin punimet për fabrikën e municionit

Në Jahoc të Gjakovës kanë nisur punimet e para për ndërtimin e një prej projekteve më të rëndësishme të industrisë së mbrojtjes në Kosovë. Ministria e Mbrojtjes synon që deri në fund të këtij viti të nisë prodhimi i parë testues i municioneve ‘Made in Kosova’. Por, sfidat për funksionalizimin e fabrikës së municionit janë…

Lajme

07/11/2026 21:05

Në Jahoc të Gjakovës kanë nisur punimet e para për ndërtimin e një prej projekteve më të rëndësishme të industrisë së mbrojtjes në Kosovë. Ministria e Mbrojtjes synon që deri në fund të këtij viti të nisë prodhimi i parë testues i municioneve ‘Made in Kosova’.

Por, sfidat për funksionalizimin e fabrikës së municionit janë më të mëdha sesa vetëm ndërtimi i objektit. Funksionalizimi i fabrikës kërkon përmbushjen e një sërë kushtesh: nga baza ligjore dhe procedurat administrative, deri tek instalimi i teknologjisë, trajnimi i personelit dhe standardet e sigurisë, shkruan RTK.

Pikërisht këto sfida, sipas ekspertëve, vënë në pikëpyetje nëse prodhimi i parë testues mund të nisë brenda afatit të paralajmëruar.

Kjo është hapësira ku është planifikuar të ndërtohet Fabrika e Municionit në Jahoc të Gjakovës. Në lokacionin ku do të ngrihet ky kompleks industrial, tashmë kanë nisur punimet e para. Në terren shihen punëtorë dhe makineri të rënda, të angazhuara në ndërhyrjet fillestare për përgatitjen e hapësirës ku pritet të ndërtohet fabrika e parë e municionit në Kosovë.

Nga Ministria e Mbrojtjes kanë konfirmuar për RTK-në se projekti është duke u realizuar sipas dinamikës së paraparë dhe marrëveshjes së nënshkruar me kompaninë shtetërore turke MKE.

“Punimet për realizimin e projektit të fabrikës së municioneve kanë filluar dhe janë duke vazhduar sipas marrëveshjes së nënshkruar me kompaninë shtetërore turke MKE. Sipas afateve të parapara, pritet që deri në fund të këtij viti të fillojë prodhimi i parë testues i municioneve ‘Made in Kosova’. Ky projekt nuk përfshin vetëm ndërtimin e një fabrike, por krijimin e një kompleksi industrial të prodhimit të municioneve, me infrastrukturë mbështetëse, laboratorë testimi dhe kalibrimi, depo dhe objekte të tjera të nevojshme për funksionimin e tij”. Kështu thuhet në përgjigjen e shefes së kabinetit në Ministrinë e Mbrojtjes, Liridona Gashi.

Megjithatë, afati i paralajmëruar për nisjen e prodhimit të municioneve deri në fund të këtij viti shihet si vështirë i realizueshëm nga njohësi i çështjeve të sigurisë, Hysen Gecaj.

“Nuk e besoj që mund të arrihet për kaq kohë të shkurtër që të fillohet me prodhimin e municioneve. Është e pamundur. Ne nuk kemi një ligj të miratuar nga Kuvendi i Kosovës për municionet ushtarake”, tha Hysen Gecaj, njohës i çështjeve të sigurisë.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve të sigurisë, Arben Dashevci, vonesat në realizimin e projektit i lidh me procedurat administrative dhe ligjore që duhet të përmbyllen ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

“Këto vonesa definitivisht i shoh si aspekte procedurale ose administrative ndërmjet dy shteteve, sepse është partneritet i Republikës së Turqisë, në këtë rast i një fabrike shumë serioze për prodhimin e municioneve, dhe Kosovës”, tha Dashevci, njohës i çështjeve të sigurisë

Paralelisht me përgatitjet për ndërtimin e fabrikës, Ministria e Mbrojtjes kishte nisur disa muaj më parë edhe procedurat për rekrutimin e personelit që do të angazhohet në këtë kompleks industrial.

Konkursi përfshinte pozita të ndryshme dhe profile të specializuara nga disa fusha profesionale, si pjesë e përgatitjeve për vënien në funksion të fabrikës.

Në dhjetor bëhen dy vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe prodhuesit shtetëror turk të industrisë së mbrojtjes, MKE, për themelimin e fabrikës së municioneve në Kosovë, e që thuhej se Kosova në fund të dhjetorit do të fillojë me prodhimin e municionit. Dy vjet pas, shtrohet pyetja a do të prodhohet këtë vit municioni i parë ‘Made in Kosova’, apo prodhimi do të shtyhet përtej afatit të paralajmëruar?