Ngecja e Qeverisë në infrastrukturë -Rrugët e shumta që mbeten në ndërtim e sipër

Gati në çdo anë të Kosovës, shumë rrugë magjistrale janë në ndërtim e sipër prej vitesh. Ndonëse të parapara për të lidhur qytete nga njëri cep në tjetrin, shumë prej tyre mbeten pa u përfunduar, duke lënë pas pluhur, gropa e vështirësi të tjera në qarkullim. Si arsye për këto vonesa, zyrtarë të Ministrisë së…

Lajme

02/12/2024 08:29

Gati në çdo anë të Kosovës, shumë rrugë magjistrale janë në ndërtim e sipër prej vitesh.

Ndonëse të parapara për të lidhur qytete nga njëri cep në tjetrin, shumë prej tyre mbeten pa u përfunduar, duke lënë pas pluhur, gropa e vështirësi të tjera në qarkullim.

Si arsye për këto vonesa, zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës përmendin: shembjet e dheut, problemet me shpronësime, shkëputjen e kontratave me kompanitë që s’i kanë kryer punimet e të tjera.

Por, askush prej tyre nuk thotë se kur do të përfundojnë ato.

Magjistralja Prishtinë – Mitrovicë

Disa vetura duke qarkulluar në një segment të përfunduar në magjistralen Prishtinë- Mitrovicë.

E nisur qysh në vitin 2009, magjistralja Prishtinë – Mitrovicë nuk ka përfunduar ende.

Vlera totale e kësaj rruge të gjatë 40 kilometra është mbi 100 milionë euro.

Punimet për zgjerimin e rrugës drejt qytetit të Vushtrrisë.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha më 22 nëntor se punimet në segmentin Prishtinë-Vushtrri – pjesë e kësaj rruge – “pritet të përfundojnë së shpejti”, por nuk specifikoi më shumë.

“Tani po punohet për shtrimin e shtresës së tretë dhe të fundit të asfaltit, ndërtimin e trotuareve, vendosjen e shenjave të komunikacionit dhe pajisjeve mbrojtëse”, tha ai në një konferencë për media.

Sa i përket pjesës tjetër të magjistrales, që shtrihet në drejtim të Mitrovicës, ministri nuk dha ndonjë afat, duke thënë vetëm se punimet janë duke vazhduar “me intensitet të lartë”.

Makineri duke punuar në ndërtimin e magjistrales Prishtinë- Mitrovicë.

Punimet me intensitet të shtuar nisën në shkurt të këtij viti, kur Qeveria e Kosovës ndërpreu kontratën me konsorciumin e mëparshëm, për shkak të “parregullsive”, dhe përzgjodhi një kompani të re.

Që në atë kohë, Aliu tha se segmenti në fjalë do të përfundojë në fillim të vtit 2025.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi ministrinë që udhëheq ai, për ta pyetur më në detaje rreth punimeve në këtë magjistrale dhe të tjera, por nuk mori përgjigje.

Magjistralja Prishtinë – Podujevë

Në ndërtim prej vitesh është edhe magjistralja Prishtinë – Podujevë.

Magjistralja e asfaltuar në dalje të Prishtinës drejt Podujevës.

E gjatë 30 kilometra, ajo kap vlerën e mbi 41 milionë eurove.

Projekti ka nisur qysh në vitin 2015, ndërsa punimet në zgjerimin e segmentit të mbetur kanë nisur vitin e kaluar, pas përfundimit të procesit të shpronësimit.

Asfalti i përfunduar, por jo edhe mbrojtëset në shpate, nga rrëshqitjet eventuale të dheut.

Pasi nuk mori përgjigje nga Ministria e Mjedisit, REL-i pyeti kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpëtim Bulliqi, se kur do të përfundojë magjistralja.

“Shpresoj brenda këtij viti… Nëse premton moti, traseja e asfaltuar do të jetë e përfunduar, kurse finesat tjera, si mburojat, disa trotuare, vitin tjetër”, tha ai.

Magjistralja Prishtinë – Pejë

Punimet në 30 kilometra të magjistrales Prishtinë – Pejë kanë nisur në vitin 2018, por as ato nuk kanë përfunduar.

Një tabelë komunikacioni ku tregon drejtimin e qytetit të Pejës, ndërsa anash shihet traseja ku do të ndërtohet magjistralja.

“Nuk e dimë se kur do të lëshohet për qarkullim [kjo pjesë]”, thotë shkurtimisht për Radion Evropa e Lirë nënkryetari i Komunës së Pejës, Fatmir Asllani.

Ai shton se komuna nuk ka asnjë informacion nga Ministria e Mjedisit në lidhje me këtë projekt.

Një ekskavator në magjistralen Prishtinë-Pejë.

Vlera e këtij projekti është rreth 200 milionë euro.

Autostrada Prishtinë – Gjilan

Një tjetër projekt që ka nisur në vitin 2018, e që nuk ka përfunduar, është autostrada Prishtinë – Gjilan.

Mbi 22 kilometrat e planifikuar është thënë fillimisht se do të përfundonin brenda 30 muajsh, përkatësisht në fund të vitit 2020.

Traseja për autostradën e Gjilanit – punë ende të papërfunduara.

Kur është shpallur projekti para gjashtë vjetësh, kostoja e tij ka qenë 87 milionë euro. Por, në buxhetin e miratuar për vitin e ardhshëm, kushton 126 milionë euro.

Sipas zyrtarëve, në këtë kanë ndikuar parregullsitë, shembjet e dheut dhe shpronësimet.

Ministri Aliu ka thënë në një konferencë për media në muajin tetor se kjo autostradë është projekti i vetëm për të cilin “përton të flasë”.

Partia Socialdemokrate ka vendosur mbishkrimin “Po pritoj me folë për autostradë” duke iu referuar ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu. Ky mbishkrim pastaj është mbuluar.

Megjithatë, një muaj pas, ai ka thënë se angazhimi më i madh gjatë këtij viti, është përqendruar te ky projekt.

Se kur do të përfundojë, nuk ka dhënë detaje.

“Të gjitha problemet dhe zvarritjet kanë ndodhur si pasojë e mungesës së një studimi të mirëfilltë përpara fillimit të punimeve”, ka thënë Aliu.

Disa makineri duke punuar afër Bresalcit, fshat ky nga do të kalojë autostrada.

Kjo autostradë pritet të lidhë Kosovën me Serbinë jugore, përkatësisht me Luginën e Preshevës.

Kosova i ka të përfunduara dy autostrada që e lidhin me shtetet e rajonit.

Autostrada e parë e përfunduar në vitin 2012 është ajo që e lidh me Shqipërinë, e quajtur “Rruga e Kombit – Ibrahim Rugova”.

Lidhja mes autostradave “Ibrahim Rugova” dhe “Arbën Xhaferi”

Në vitin 2019, ndërkaq, ka përfunduar autostrada “Arbën Xhaferi”, e cila shtrihet nga Prishtina në Han të Elezit, në kufi me Maqedoninë e Veriut.

Gjatë dy dekadave të fundit, Kosova një pjesë të madhe të investimeve kapitale e ka çuar në ndërtimin e rrugëve lokale dhe magjistrale.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2023, nga gjithsej 2,434.0 kilometra rrugë, 2,384,3 kilometra kanë qenë të asfaltuara dhe rreth 50 kilometra të paasfaltuara.