Nga pjesëmarrja në përfitime financiare: Transformimi i futbollit kosovar në arenën evropiane
Pjesëmarrja e klubeve kosovare në garat evropiane, veçanërisht në Ligën e Konferencës, po shihet si një hap i rëndësishëm në afirmimin e futbollit të vendit tonë. Suksesi në arenën ndërkombëtare jo vetëm që rrit imazhin e klubeve, por ndikon edhe pozitivisht në koeficientin e Kosovës në UEFA. Analistët dhe gazetarët sportivë theksojnë se përveç prestigjit,…

Sport
Pjesëmarrja e klubeve kosovare në garat evropiane, veçanërisht në Ligën e Konferencës, po shihet si një hap i rëndësishëm në afirmimin e futbollit të vendit tonë.
Suksesi në arenën ndërkombëtare jo vetëm që rrit imazhin e klubeve, por ndikon edhe pozitivisht në koeficientin e Kosovës në UEFA.
Analistët dhe gazetarët sportivë theksojnë se përveç prestigjit, pjesëmarrja në Evropë sjell edhe përfitime financiare të konsiderueshme për klubet.
Trajneri dhe analisti Ajet Shosholli thotë për KosovaPress se për shkak të pjesëmarrjes në garat evropiane, futbolli i Kosovës tashmë është i renditur më lartë në UEFA se sa vendet e regjionit.
“Përveç afirmimit të klubeve, është edhe afirmimi i futbollit kosovar sepse këto suksese apo pjesëmarrja në fazën e grupeve, e rrisin edhe koeficientin e futbollit kosovar që tani ne jemi në regjion nga disa shtete në përparësi me koeficientin e UEFA-s, jemi më të mirë në regjion se sa Mali i Zi, Shqipëria dhe se sa Maqedonia. Përveç afirmimit, këto pjesëmarrje gjenerojnë edhe të holla, të mira materiale për klubet tona. Mund të theksoj se Ballkani për ato dy vite që ishte pjesëmarrës në Ligën e Konferencës i ka përfituar afër 10 milionë euro. Tani Drita në këtë rast, në ndeshjen e fundit që e eliminoi ekipin e Differdang të Luksemburgut ka inkasuar mbi 3 milionë euro…Përveç afirmimit të klubeve, afirmimit të futbollit kosovar është një e mirë sepse këto pjesëmarrje gjenerojnë të holla për klubet gjegjëse që është një e mirë për futbollin kosovar”, thekson Shosholli.
Sipas analistit Lulzim Shala, klubet – me paraqitjet e tyre në Evropë – po e mbushin edhe arkën e tyre dhe kështu po kalojnë në një nivel tjetër edhe në aspektin e stabilitetit financiar.
“Natyrisht të gjitha klubet që kanë dalë në arenën ndërkombëtare, në garat evropiane kanë përfitime edhe financiare, kjo ndikon edhe në imazhin e klubeve që po rriten por edhe në klubet tjera, e natyrisht edhe në Federatën e Futbollit të Kosovës…Çdo klub kur sheh që ka përfitime, atëherë edhe klubet tjera angazhohen që ta bëjnë një gjë të tillë. E kemi rastin e shumë klubeve që po mundohen të mbijetojnë sepse dihet që shpenzimet janë shumë të mëdha në Superligë, një klub shpenzon mbi një milionë euro gjatë një viti, klub mesatar të themi sepse klubet më të mëdha natyrisht edhe më shumë dhe kjo ndikon shumë pozitivisht”, thotë Shala.
Megjithatë, gazetari i sportit, Bujar Mehmeti, konsideron se klubet kosovare nuk e kanë shfrytëzuar në mënyrën më të mirë të mundshme daljen në Evropë. Sipas tij, ato kanë mundur të bëjnë edhe më shumë.
“Përderisa kemi qenë aty mendoj se nuk është shfrytëzuar sa duhet për shkak se ekipet nuk duhet tani të kënaqen vetëm me pjesëmarrje. Kemi pasur shumë mundësi mbase për ta kaluar edhe fazën e grupeve kur ka qenë skuadra e Ballkanit, tashmë është një mundësi me kundërshtarët e Dritës, skuadrës gjilanase, kampionit të Kosovës që i ka, si pjesë e Ligës së Konferencës është mundësia për të bërë më shumë pikë, për të fituar më shumë financiarisht, për të shitur ndonjë lojtar gjithsesi por për të kaluar tutje për shkak se kjo e ndihmon më shumë Superligën për shkak të koeficientit, për shkak të kthimit të syve nga Superliga e Kosovës”, deklaron Mehmeti.
Në këtë edicion – megjithëse rrugëtimi i futbollit kosovar në Evropë nisi me katër skuadra – ka mbetur vetëm Drita e cila ka arritur të kualifikohet në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, aty ku do të ballafaqohet me skuadra si Rayo Valecano, Az Alkmaar, Shkëndija, Shelbourne, Omonia dhe KuPS KUOPIO./kp