“Nga mjetet piroteknike, një objekt i EULEX-it u kaplua nga një zjarr i vogël” – Policia jep detaje nga protesta e mbrëmshme, i falenderon për bashkëpunimin

Policia e Kosovës, mbrëmë pas mesnate ka dal me një komunikatë në lidhje me protestën që kanë mbajtur qytetarët e Kosovës pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për ish-krerët e UÇK-së. Ata kanë thënë se rreth orës 22:30, një numër i caktuar i protestuesve të cilët kanë qenë duke protestuar pranë objektit të Qeverisë së…

Lajme

17/09/2026 08:06

Policia e Kosovës, mbrëmë pas mesnate ka dal me një komunikatë në lidhje me protestën që kanë mbajtur qytetarët e Kosovës pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për ish-krerët e UÇK-së.

Ata kanë thënë se rreth orës 22:30, një numër i caktuar i protestuesve të cilët kanë qenë duke protestuar pranë objektit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kanë levizur sërish në drejtim të bazës së EULEX-it e cila gjendet afër tregut të gjelbër në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë.

“Protestuesit me të arritur pranë hyrjes së objektit të EULEX-it, kanë bllokuar rrugën dhe kanë filluar hedhjen e gjësendeve të ndryshme, mjeteve të forta dhe mjeteve piroteknike, ku si pasojë e këtyre të fundit, një pjesë e objektit është kapluar nga një zjarr i vogël, i cili është shuar menjëherë. Zyrtarët policor në vazhdimësi kanë biseduar me protestuesit dhe kanë kërkuar që të protestojnë në mënyrë të qetë, të mos hedhin gjësende dhe mjete të rrezikshme drejt objekteve shtetërore”, ka njoftuar Policia.

Ata kanë thënë se kanë menaxhuar në mënyrë profesionale mbarëvajtjen e tubimeve/protestave, te cilat ka kaluar pa incidente madhore dhe pa lëndime të protestuesve, e të zyrtarëve policorë. Protesta ka përfunduar pas mesnatës (rreth orës 00:20 minuta).

“Policia e Kosovës vazhdon të falënderojë qytetaret për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e treguar ndaj Policisë së Kosovës, e në veçanti gjatë ndërprerjeve të përkohshme të trafikut rrugor. Policia e Kosovës do të vazhdojë prezencën dhe patrullimet në terren për të garantuar rendin kushtetues dhe sigurinë publike në vend”, ka njoftuar Policia. /Lajmi.net/