Nga miqësorja te udhëtimi i gabuar në zonën e kuqe, ja si u infektua lojtari i Bylisit

Të shtunën (30 maj) luan 45 minuta në miqësoren Apolonia-Bylisi në Fier, më pas udhëton drejt vendlindjes së tij, Shkodër, aty ku qëndron pak më tepër se 24 orë dhe të hënën në mëngjes kthehet në Ballsh për të rifilluar përgatitjet me ekipin pas pushimit të së dielës.

Sport

03/06/2020 09:26

Ky ka qenë itinerari i 19- vjeçarit Eridon Qardaku, derisa të martën në mëngjes lajmi u përhap me shpejtësi se ishte infektuar me Koronavirus. Me të mbërritur në Ballsh, lojtari u stërvit normalisht me skuadrën, pa e ditur se vetëm pak orë më pas do të bënte testin.

Qardaku ka filluar të ndiejë shqetësime, duke pasur ethe pas stërvitjes së paradites. Fillimisht i nënvlerësoi, duke menduar se kjo vinte prej lodhjes nga rruga e gjatë nga Shkodra drejt Ballshit, për të vazhduar më pas me një stërvitje. Por, duke matur temperaturën, futbollisti shprehu shqetësimin e tij dhe menjëherë presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, e dërgoi në spitalin e Fierit, aty ku dhe u vendos që të bënte testin. Në orët e vona të mbrëmjes së të hënës, futbollisti u njoftua se kishte rezultuar pozitiv dhe menjëherë duhej të karantinohej. Ndërkohë, doktorët epidemiologë bënë në kohë rekord edhe dy teste të tjera, pikërisht lojtarëve të Bylisit që Qardaku kishte qëndruar më tepër të dielën. Për fat të mirë, ata rezultuan negativë, ndryshe nga shkodrani. Ky i fundit, pasi u transportua drejt Fierit, menjëherë më pas përfundoi në qytetin e tij, për të bërë aty karantinën. Dilemat janë të mëdha, pasi frika e epidemiologëve është se Qardaku mund ta ketë marrë më shpejt virusin, edhe pse për testimin e tij u vendos pas një hetimi të një kontakti në qytetin e Shkodrës.

Shkodra cilësohej ende një zonë e kuqe deri më 31 maj, por Qardaku nxitoi për të udhëtuar të shtunën e kaluar menjëherë pasi u aktivizua në miqësoren Apolonia-Bylisi në stadiumin “Loni Papuçiu”. Mirëpo, me sa duket, ky udhëtim dhe kontaktet që lojtari ka pasur në Shkodër, e kanë infektuar. Hetimi epidemiologjik vijon, ndërsa vetë Qardaku nuk ka pasur shqetësime sa i përket gjendjes shëndetësore në orët e fundit. Si për ironi të fatit, në ndeshjen miqësore me fierakët, pjesëtarë të stafit ballshiot tregojnë për gazetën se mesfushori me tipare sulmuese ka qenë ndër më të mirët në fushë në 45 minutat e para. Ai ishte projektuar si titullar nga trajneri Dovedan për ndeshjen ndaj Tiranës, ndërsa tani do t’i duhet të qëndrojë 14 ditë në karantinë. /Panorama