Nga ç’kapja në demokratizim e ndryshim rrënjësor
Strategjia e Zgjerimit të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, paraqet një dokument të guximshëm që i obligon 6 shtetet për ndryshime rrënjësore. Viti 2025 vendoset si vit orientues për anëtarësim jo vetëm të Serbisë dhe Malit të Zi, por edhe të çdo shteti tjetër të Ballkanit, NËSE vendet i zbatojnë plotësisht kushtet e përcaktuara. Në rastin e Kosovës, pritet ndër të tjera:
Lajme
1. Çkapja e shtetit, fundi i liderëve që janë të lidhur me krimin e e organizuar dhe korrupsionin; rrjedhmisht fundi i kulturës së pandëshkueshmërisë, dhe fundi i kontrollit të mediave.
2. Arritja e marrëveshjes gjithpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që do të na mundësojë – ndër të tjera – edhe integrimin në BE (lexo: heqjen e pengesës “objektive” të kundërshtimeve të shtetësisë tonë sidomos nga Spanja dhe Qipro, rrjedhimisht derë e vogël për anëtarësim të Kosovës)
3. Demarkacioni me Serbinë (sa më parë)
4. Bashkëpunim i plotë me Gjykatën Speciale.
5. Reforma të thella në fushat prioritare socio-ekonomike.
E në fund, asgjë nuk bëhet me zorr. Siç edhe shkruhet në Strategji, anëtarësimi në BE është një zgjedhje.
Po të zgjidhej demarkacioni me Malin e Zi në vitin 2015 apo në fillim të vitit 2016, ne sot do të udhëtonim pa viza. Po të tregohej përkushtim për përmbushjen e obligimeve të tjera ne do të ishim afër statusit të kandidatit me mundësi dhe datë të qartë për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Por, shkurtpamësia dhe injoranca politike na kushtoi të gjithëve me izolimin e dukshëm dhe prapambetjen kolektive.
Në vitin 2025, Kosova mund të jetë në prag të anëtarësimit në BE apo në staus quo-n e sotme, varësisht nga sjelljet e Kosovës dhe jo të BE-së. E sjelljet e Kosovës do të varen kryekëput nga vendimet e secilit qytetar të Republikës së Kosovës në zgjedhjet e ardhshme.