Në njërën shtëpi që dyshohet se është e Valon Berishës policia gjeti 5 mijë euro, ora të shtrenjta e stoli ari
Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë e Prizrenit janë duke vazhduar aksionin e nisur në orët e para të mëngjesit, ku pikë kyç e hetimeve janë dy ish-zyrtarë të Byrosë Kosovare të Sigurimit. Bëhet fjalë për Sami Mazrekun dhe Valon Berishën. Në aksionin e drejtuar nga Prokuroria e Prizrenit tanimë Policia ka kryer kontrolle…
Lajme
Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë e Prizrenit janë duke vazhduar aksionin e nisur në orët e para të mëngjesit, ku pikë kyç e hetimeve janë dy ish-zyrtarë të Byrosë Kosovare të Sigurimit.
Bëhet fjalë për Sami Mazrekun dhe Valon Berishën.
Në aksionin e drejtuar nga Prokuroria e Prizrenit tanimë Policia ka kryer kontrolle të shumta në shtëpi e banesa të ndryshme.
Bastisja u zhvillua edhe në një shtëpi që dyshohet se i takon të dyshuarit në këtë rast, Valon Berishës.
Vetëm në këtë shtëpi Policia ka zbuluar rreth 5 mijë euro para të gatshme, orë të shtrenjta e stoli ari. Kjo sipas raportimeve të deritanishme.
Sami Mazreku për shumë vite ishte Drejtori i BKS-së, ndërsa Valon Berisha deri në vitin 2023 ushtronte pozitën e Drejtorit të Departamentit të Financave në BKS.
Deri më tani përpos Mazrekut dhe Berishës raportohet se janë arrestuar edhe një numër i madh i personave, në mesin e tyre edhe disa gra.
Berisha po dyshohet që nga korriku i vitit 2022 deri në 9 tetor 2023 së bashku me Sami Mazrekun në cilësinë e Drejtorit Ekzekutiv të BKS kishin përfituar jashtëligjshëm para nga Byroja e Sigurimeve duke shfrytëzuar detyrat e tyre dhe duke keqpërdorur besimin e qytetarëve. Mazreku dhe Berisha po dyshohen se nga qytetarët kishin përfituar para duke manipuluar me dëmshpërblime për aksidente të trafikut.Përveç Mazrekut e Berishës të dyshuar janë edhe 45 qytetarë të tjerë. Të njëjtit sipas Prokurorisë dyshohen se kishin dhënë besimin e tyre për t`u përdorur xhirollogaritë bankare për transfere bankare nga Byroja Kosovare e Sigurimeve.
Në aksionin e sotëm po marrin pjesë rreth 300 zyrtarë policorë.
Kurse Byroja Kosovare e Sigurimeve ka bërë të ditur se rasti i sotëm, i cili li po trajtohet nga Prokuroria Themelore në Prizren dhe për të cilin janë raportuar bastisje dhe veprime hetimore, është iniciuar nga vetë BKS-ja në cilësinë e palës së dëmtuar, si rezultat i konstatimeve të identifikuara në raportin e Auditimit të Brendshëm./Lajmi.net/