Protestat kundër aktgjykimit të Speciales vazhdojnë, sonte mblidhen sërish qytetarët në Prishtinë

Qytetarë të disa komunave të Kosovës kanë dalë dje në protesta kundër aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Protestat u organizuan nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, në qytetet ku kjo organizatë ka degë dhe struktura. Pavarësisht motit me shi, në tubime morën pjesë…

Lajme

26/09/2026 08:47

Qytetarë të disa komunave të Kosovës kanë dalë dje në protesta kundër aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Protestat u organizuan nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, në qytetet ku kjo organizatë ka degë dhe struktura. Pavarësisht motit me shi, në tubime morën pjesë veteranë, familjarë dhe qytetarë, transmeton lajmi.net.

Pjesëmarrësit shprehën kundërshtimin e tyre ndaj aktgjykimit për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Tubimet u zhvilluan nën moton “Jo në emrin tim”.

Në Prishtinë, protesta ka hyrë tashmë në natën e 11-të. Tubimi i së premtes nisi në orën 21:00 dhe në të morën pjesë edhe familjarë të ish-krerëve të UÇK-së, si dhe përfaqësues të jetës politike e publike.

Protesta në kryeqytet pritet të vazhdojë edhe sonte, duke nisur sërish në orën 21:00. Organizatorët dhe pjesëmarrësit synojnë të vazhdojnë shprehjen e kundërshtimit ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë./lajmi.net/