Ndryshon skema e financimit të sportit – Shatri jep detaje
Rreth 52 milionë euro ka qenë mbështetja direkte financiare për organizatat sportive gjatë periudhës 2021-2026, ndërsa paralelisht përmes ligjit të sponsorizimit janë gjeneruar rreth 83 milionë euro për organizatat sportive dhe rreth 9 milionë euro për federatat sportive. Kështu ka bërë të ditur Fidan Shatri nga Agjencia për Sport, i cili ka thënë se rritja…
Lajme
Rreth 52 milionë euro ka qenë mbështetja direkte financiare për organizatat sportive gjatë periudhës 2021-2026, ndërsa paralelisht përmes ligjit të sponsorizimit janë gjeneruar rreth 83 milionë euro për organizatat sportive dhe rreth 9 milionë euro për federatat sportive.
Kështu ka bërë të ditur Fidan Shatri nga Agjencia për Sport, i cili ka thënë se rritja e financimit për federatat dhe organizatat sportive ka qenë kërkesë e vetë komunitetit sportiv, ndërsa ka paraqitur edhe shifrat e mbështetjes ndër vite.
“Financimi ose mbështetja për federata ka qenë kërkesë e vetë federatave, organizatave sportive, që në vitin 2021 të ketë ngritje të buxhetit për shkak të ankesave të cilat i kanë pasur federatat në atë kohë. Mendoj që prej vitit 2021 buxheti çdo vit është rritur. Nëse më lejohet po i marr me shifra: në 2021 ka qenë rreth 4 milionë e gjysmë; në vitin 2022, 5 milionë e 300 mijë; në vitin 2023 kemi pasur një ngritje shumë të madhe të buxhetit, 13 milionë e 739 mijë; në vitin 2024, 9 milionë e 800 mijë; në vitin 2025, 11 milionë e 100 mijë euro. Dhe vitin 2026 deri në këto momente kur po flasim, vlera e mbështetjes është 7 milionë e gjysmë. Pra po flasim për një total nga 2021 deri në 2026 që e kap vlerën rreth 52 milionë euro, po flasim mbështetje direkte për organizata sportive”, ka deklaruar Shatrit.
Ai ka sqaruar se këto shifra paraqesin mjetet e transferuara te federatat në bazë të memorandumeve, ndërsa ka theksuar se jo gjithmonë federatat kanë arritur ta realizojnë të gjithë buxhetin e planifikuar.
“Këtu i përjashtojmë edhe mbështetjet direkte për sportistët në kuadër të thirrjeve publike ose mbështetjeve të ndryshme që kemi pasur për sportistë të ndryshëm. Gjithashtu prej ligjit të sponsorizimit, totali për vite, duke marrë prej fillimit ndoshta të ligjit të sponsorizimit prej 2018-ës, ku 2-3 vitet e para nuk është që ka qenë vlerë e madhe, pra vlera e fituar në total për organizata sportive është rreth 83 milionë, ndërsa për federatat sportive vlera është rreth 9 milionë. Pra po flasim për një shumë të konsiderueshme të mjeteve që është ndarë për organizata sportive. Jo çdo herë që federatat e kanë shpenzuar gjithë buxhetin, për shkak të mosrealizimit ndoshta të objektivave ose projekteve të cilat i kanë pasur”, ka thënë ai për KosovaPress.
Shatrit ka folur edhe për financimin e ardhshëm të sportit, duke bërë të ditur se me zbatimin e ligjit të ri të sportit dhe rregullores së re për financim janë përcaktuar kritere të reja, ndërsa federatat kanë afat deri më 30 shtator për të aplikuar për financim për vitin 2027.
Ai ka paralajmëruar gjithashtu ndryshime në skemat e stimulimit dhe mbështetjes së përhershme për sportistët dhe trajnerët.
“Jemi duke punuar në rregulloren për stimulim të sportistëve, sportistëve të rinj, talentëve, gjithashtu paralel edhe trajnerëve të rinj. Gjithashtu jemi duke rregulluar edhe çështjen e shpërblimeve financiare si dhe çështjen e financimit ose mbështetjes së përhershme, ku në krahasim me rregulloren e vjetër është paraparë që financimi i përhershëm për sportistë meritorë do të jetë me koeficient e jo siç ka qenë pako fikse prej 800 eurosh. Propozimi do të jetë me koeficient të niveleve të pozitave në kuadër të ligjit të buxhetit për punëtorë të administratës, që në rast të rritjeve të pagave automatikisht t’u rritet edhe sportistëve ose trajnerëve të cilët marrin mbështetje të përhershme”, është shprehur Shatrit.
Sa i përket shpërblimeve për medaljet dhe sukseset sportive, ai ka thënë se rregullorja do të qartësohet në mënyrë që të shmangen paqartësitë mes sporteve olimpike dhe atyre jo-olimpike.
“Te shpërblimet, rregulloren e kemi në fuqi që i parasheh, por do të jetë më e qartë për shkak se kemi pasur shumë nganjëherë mospërputhje për shkak të sporteve olimpike dhe sporteve jo-olimpike. Do të bëhet ndryshimi, diferenca, mbështetja, shpërblimet për sportet olimpike dhe për sportet jo-olimpike. Do të qartësohet pra që mos të kemi vakum ligjor që të kemi probleme me sportistët, trajnerët të cilët marrin medalje dhe kanë suksese”, ka theksuar ai.
Sipas Shatrit, sistemi i ri i financimit do të fokusohet më shumë në suksesin dhe rezultatet sportive. Ai ka bërë të ditur se në kriteret e reja sportet kolektive do të trajtohen ndaras nga sportet individuale, ndërsa te sportet individuale 50 për qind e pikëve do të lidhen me sukseset e arritura nga federatat sportive.