Qeveria zhvillon mbledhjen e dytë, miraton mbi 20 vendime e projektligje
Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbrëmë mbledhjen e dytë elektronike, ku ka miratuar një sërë projektligjesh dhe vendimesh që prekin sektorin e drejtësisë, energjinë, ekonominë dhe administratën publike. Në mesin e vendimeve të miratuara është edhe Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili synon krijimin dhe…
Lajme
Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbrëmë mbledhjen e dytë elektronike, ku ka miratuar një sërë projektligjesh dhe vendimesh që prekin sektorin e drejtësisë, energjinë, ekonominë dhe administratën publike.
Në mesin e vendimeve të miratuara është edhe Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili synon krijimin dhe përcaktimin e kompetencave të këtij mekanizmi, si dhe procedurat për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, transmeton lajmi.net
Në fushën e drejtësisë, Qeveria ka miratuar edhe projektligjet për rekrutimin, vlerësimin e performancës, kontrollin e integritetit dhe statusin e gjyqtarëve e prokurorëve, si dhe për përgjegjësinë disiplinore të tyre.
Po ashtu, janë miratuar ndryshimet në ligjet për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, ndërsa një tjetër projektligj i miratuar rregullon funksionimin e Akademisë së Drejtësisë.
Dy projektligje të reja për sektorin e energjisë
Në mbledhje është miratuar edhe Projektligji për Energjinë, i cili përcakton parimet dhe rregullat për funksionimin e sektorit energjetik në Kosovë.
Qeveria ka miratuar gjithashtu Projektligjin për Energjinë Elektrike, që synon përcaktimin e rregullave për furnizim të sigurt dhe të qëndrueshëm me energji elektrike, si dhe mbrojtjen e konsumatorëve dhe përmbushjen e objektivave klimatike.
Ndër vendimet e tjera është edhe miratimi i projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, për financimin e projektit të Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë.
Masa edhe për ekonominë dhe bizneset
Qeveria ka miratuar Projektligjin për Inovacion dhe Ndërmarrësi, përmes të cilit synohet krijimi i mekanizmave institucionalë për mbështetjen e aktiviteteve inovative dhe ndërmarrëse.
Po ashtu, është miratuar Projektligji për Pagesat e Vonuara në Transaksionet Tregtare, i cili përcakton rregullat për afatet e pagesave dhe kamatëvonesat në transaksionet ndërmjet bizneseve dhe autoriteteve publike.
Në mbledhje janë marrë edhe vendime për propozimin në Kuvend të kandidatëve për Kryesues të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, si dhe për dy anëtarë të këtij bordi.
Qeveria miraton edhe disa vendime për prona
Një pjesë e vendimeve të mbledhjes lidhet me dhënien me qira të parcelave në disa komuna të Kosovës për nxjerrjen, përpunimin dhe shfrytëzimin e gurit gëlqeror dhe materialeve të tjera.
Vendimet përfshijnë prona në Kaçanik, Gllogoc, Rahovec, Suharekë dhe Shtime, me sipërfaqe që variojnë nga disa mijëra deri në rreth 50 mijë metra katrorë dhe me afate qiraje të ndryshme.
Në mesin e vendimeve të tjera është miratimi i Deklaratës së Prioriteteve Afatmesme të Qeverisë 2027–2029, e cila shërben si bazë për përgatitjen e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve dhe buxhetit vjetor.
Qeveria ka vendosur gjithashtu t’ia zgjasë për tre muaj mandatin Komisionit për Verifikimin e Diplomave të Lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut.
Në fund, është miratuar edhe lista e anëtarëve potencialë të Komisionit të Pranimit për kategoritë e ulëta dhe të mesme drejtuese, si dhe vendimi për pezullimin nga marrëdhënia e punës të një nëpunësi civil të kategorisë së lartë drejtuese.
Të gjitha vendimet e dala nga mbledhja e Qeverisë:
Qeveria e Republikës së Kosovës mbrëmë ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka:
- Miratuar Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin e Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, qëllimi i të cilit është themelimi, organizimi dhe përcaktimi i kompetencave të Byrosë Shtetërore për Verifikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe përcaktimi i procedurës për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
- Miratuar Projektligjin për Rekrutimin, Vlerësimin e Performancës, Kontrollin e Integritetit dhe Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, përmes të cilit përcaktohen rregullat e rekrutimit, vlerësimit të performancës, kontrollit të integritetit, statusit dhe çështje tjera lidhur me gjyqtarët dhe prokurorët në Republikën e Kosovës.
- Miratuar Projektligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, i cili ka për qëllim të rregullojë sistemin e përgjegjësisë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Kosovës, duke përcaktuar parimet, procedurat, organet kompetente dhe masat disiplinore që zbatohen në rast të shkeljeve të përcaktuara të detyrimeve si gjyqtarë, përkatësisht prokurorë.
- Miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.06/L-055 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës.
- Miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i ndryshuar dhe i plotësuar me Ligjin Nr.08/L-249.
- Miratuar Projektligjin për Akademinë e Drejtësisë, qëllimi i të cilit është të sigurojë zhvillimin profesional dhe cilësor, të vazhdueshëm dhe të standardizuar të gjyqtarëve, prokurorëve dhe profesionistëve të tjerë të lidhur me sistemin e drejtësisë.
- Miratuar Projektligjin për Energjinë, përmes të cili bëhet përcaktimi i parimeve dhe rregullave të përgjithshme që rregullojnë aktivitetet në sektorin e energjisë në Republikën e Kosovës, për të siguruar furnizim të sigurt, të qëndrueshëm dhe cilësor me energji, për të mundësuar pjesëmarrjen aktive në tregjet rajonale dhe panevropiane të energjisë dhe për të krijuar kushte për një treg të hapur, transparent dhe konkurrues, që ofron çmime të përballueshme të energjisë të bazuara në treg, mbrojtje dhe fuqizim të konsumatorit, përfshirë mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm, integrimin e energjisë nga burimet e ripërtërishme, si dhe përmirësimin dhe mbrojtjen e mjedisit dhe klimës.
- Miratuar Projektligjin për Energjinë Elektrike, qëllimi i të cilit është përcaktimi i rregullave dhe masave për sektorin e energjisë elektrike, për të garantuar furnizim të sigurt, të qëndrueshëm dhe cilësor me energji elektrike me çmime të përballueshme dhe transparente për konsumatorët fundorë, duke adresuar njëkohësisht caqet klimatike të vendit.
- Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Projektin e Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë.
- Miratuar Projektligjin për Inovacion dhe Ndërmarrësi, qëllimi i të cilit është të përcaktojë parimet, rregullat, organizimin dhe mekanizmat institucionalë për mbështetjen, promovimin dhe nxitjen e aktiviteteve inovative dhe ndërmarrëse, me qëllim të përshpejtimit të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, shoqëror dhe mjedisor në Republikën e Kosovës.
- Miratuar Projektligjin për Pagesat e Vonuara në Transaksionet Tregtare. Qëllimi i këtij projektligji është parandalimi i vonesave të pagesave në transaksionet tregtare, si dhe përcaktimi i rregullave për afatet dhe mënyrën e llogaritjes së kamatë-vonesave, në rastet e furnizimit me mallra dhe shërbime ndërmjet shoqërive tregtare si dhe ndërmjet shoqërive tregtare dhe autoriteteve publike, në mënyrë që të sigurohet funksionimi i duhur i tregut, duke nxitur aftësinë konkurruese të shoqërive tregtare.
- Miratuar vendimin për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidatët për Kryesues të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.
- Miratuar vendimin për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidatët për pozitat e dy (2) anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.
- Miratuar vendimin për qiradhënie për pjesë të parcelës me sipërfaqe prej 6078.21 m², Zona Kadastrale Semajë, Komuna Kaçanik, sipas Kërkesës nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në kohëzgjatje deri më 23.12.2026 për nxjerrjen dhe shfrytëzimin e gurit gëlqeror.
- Miratuar vendimin për qiradhënie për pjesë të parcelave, Zona Kadastrale Vasilevë dhe Zona Kadastrale Korroticë e Epërme, Komuna Gllogoc, në sipërfaqe prej 24923 m², sipas Kërkesës nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në kohëzgjatje deri më 10.09.2029 për nxjerrjen dhe përpunimin e gurit gëlqeror dhe vendosjen e mekanizmit.
- Miratuar vendimin për qiradhënie për pjesë të parcelës, Zona Kadastrale Rahovec, Komuna Rahovec, me sipërfaqe prej 47231 m², sipas Kërkesës nga Ministrisë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në kohëzgjatje deri më 19.05.2039 për nxjerrjen e gurit gëlqeror.
- Miratuar vendimin për qiradhënie për pjesë të parcelës, Zona Kadastrale Samadrexhë, Komuna Suharekë, me sipërfaqe prej 24997 m², sipas Kërkesës nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në kohëzgjatje deri me datë 09.01.2031 me qëllim të nxjerrjes dhe përpunimit të gurit gëlqeror.
- Miratuar vendimin për qiradhënie për pjesë të parcelës, Zona Kadastrale Samadrexhë, Komuna Suharekë, me sipërfaqe prej 7289 m², sipas Kërkesës nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në kohëzgjatje deri me datë 10.02.2029 me qëllim të vendosjes së mekanizimit për seperim të gurit gëlqeror.
- Miratuar vendimin për qiradhënie për pjesë të parcelës, Zona Kadastrale Zatriq, Komuna Rahovec, me sipërfaqe prej 49999 m², sipas Kërkesës nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në kohëzgjatje deri me datë 23.10.2040, me qëllim të shfrytëzimit të gurit dekorativ.
- Miratuar vendimin për qiradhënie për pjesë të parcelave, Zona Kadastrale Raçak, Komuna Shtime, me sipërfaqe prej 19998 m², sipas Kërkesës nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në kohëzgjatje deri më 26.08.2028 për vendosjen e mekanizmit për seperim dhe deponim të materialit të ngurtë.
- Miratuar vendimin për qiradhënie për pjesë të parcelave, Zona Kadastrale Raçak, Komuna Shtime, me sipërfaqe prej 3348 m², sipas Kërkesës nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në kohëzgjatje deri më 26.09.2027 për seperim të gurit.
- Miratuar vendimin për qiradhënie për pjesë të parcelave, Zona Kadastrale Strazhë, Komuna Kaçanik, me sipërfaqe prej 29287 m², sipas Kërkesës nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në kohëzgjatje deri me datë 30.04.2028, me qëllim të nxjerrjes dhe shfrytëzimit të gurit gëlqeror.
- Miratuar Deklaratën e Prioriteteve Afatmesme të Qeverisë 2027-2029, e cila përcakton kornizën e politikave për përgatitjen e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve dhe buxhetin vjetor te hartuar nga Ministria e Financave.
- Miratuar vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 19.03.2026, ashtu që cilit Komisionit për Verifikimin e Diplomave të Lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut i vazhdohet mandati edhe për 3 muaj.
- Miratuar vendimin për Listën e anëtarëve potencialë të Komisionit të Pranimit për Kategorinë e Ulët dhe atë të Mesme Drejtuese.
- Miratuar vendimin për pezullimin nga marrëdhënia e punës të nëpunësit civil të kategorisë së lartë drejtuese./lajmi.net/