Ndryshojnë rregullat për të huajt në Shqipëri

Ministria e Punëve të Brendshme e Shgipërisë ka nxjerrë për konsultim publik paketën e re të ndryshimeve ligjore që rregullon hyrjen dhe qëndrimin e shtetasve të huaj në Shqipëri. Drafti synon të përshtasë procedurat me ligjin e ri të miratuar në vitin 2025, duke futur koncepte të reja si leja për “punëtorë shtëpie”, por edhe duke ashpërsuar…

Lajme

04/02/2026 18:01

Ministria e Punëve të Brendshme e Shgipërisë ka nxjerrë për konsultim publik paketën e re të ndryshimeve ligjore që rregullon hyrjen dhe qëndrimin e shtetasve të huaj në Shqipëri. Drafti synon të përshtasë procedurat me ligjin e ri të miratuar në vitin 2025, duke futur koncepte të reja si leja për “punëtorë shtëpie”, por edhe duke ashpërsuar kriteret e sigurisë.

Dëshmia e penalitetit bëhet e detyrueshme

Një nga ndryshimet më thelbësore lidhet me sigurinë. Për çdo aplikim për leje qëndrimi, të huajt do të jenë të detyruar të paraqesin dëshminë e penalitetit (certifikatën e gjendjes gjyqësore), e cila nuk duhet të jetë lëshuar më herët se 6 muaj nga data e aplikimit. Nga ky detyrim përjashtohen vetëm fëmijët nën 16 vjeç dhe të moshuarit mbi 75 vjeç, shkruan rtsh.al.

Formalizohen “punëtorët e shtëpisë”

Për herë të parë, qeveria njeh dhe rregullon me ligj kategorinë e “punëtorëve të shtëpisë”. Projektvendimi përcakton kritere specifike për vizat e tipit “D” dhe lejet unike për këtë kategori, me qëllim formalizimin e tregut dhe mbrojtjen e të drejtave të këtyre punonjësve, një fenomen në rritje në familjet shqiptare.

Studentët dhe sportistët

Rregulla të reja prekin edhe studentët e huaj. Për t’u pajisur me vizë studimi, ata duhet të provojnë se kanë mbulim financiar prej 300,000 lekësh (ose ekuivalentin në euro) për të përballuar jetesën. Nga ana tjetër, sportistët e huaj që vijnë në Shqipëri do të duhet të paraqesin dokumente që vërtetojnë regjistrimin në federatën sportive përkatëse në vendin e tyre të origjinës, për të shmangur abuzimet me vizat sportive.

Lehtësi për vizat Shengen dhe procedurat Online

Drafti sjell lehtësim për ata që kanë viza të vlefshme ose leje qëndrimi nga vendet e BE-së. Këta shtetas do të mund të hyjnë në Shqipëri pa vizë për 90 ditë (brenda 180 ditëve). Gjithashtu, i gjithë procesi i aplikimit për viza dhe leje qëndrimi do të kryhet online përmes platformës e-Albania, duke unifikuar praktikat dhe duke shmangur dublikimin e dokumenteve. Një risi është pajisja me “leje provizore” brenda 1 dite pune pas aplikimit, e cila vlen derisa të merret vendimi përfundimtar.

Ministria e Brendshme fton grupet e interesit të dërgojnë sugjerimet e tyre për këtë projektakt, i cili është hartuar nga një grup ndërinstitucional nën drejtimin e zv/ministres Silva Caka.