Ndërron jetë njëri nga personat që u lëndua natën e Vitit të Ri nga shpërthimi i fishekzjarreve në Prizren
Dy persona kanë pësuar lëndime natën e 31 vjetorit të këtij viti si pasojë e një shpërthimi të fishekzjarreve në rrugën “Ahmet Prishtina” në Prizren. Abdurrahman Memaj ishte njëri nga personat e lënduar i cili si pasojë e lëndimeve të rënda, ishte dërguar në Turqi për trajtim. Ai derisa po trajtohej në Turqi, ka ndërruar…
Lajme
Dy persona kanë pësuar lëndime natën e 31 vjetorit të këtij viti si pasojë e një shpërthimi të fishekzjarreve në rrugën “Ahmet Prishtina” në Prizren.
Abdurrahman Memaj ishte njëri nga personat e lënduar i cili si pasojë e lëndimeve të rënda, ishte dërguar në Turqi për trajtim.
Ai derisa po trajtohej në Turqi, ka ndërruar jetë.
Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë në Prizren, Vesel Gashi.
“Po personi i cili kishte pësuar lëndime nga shpërthimi i fishekzjarreve në Prizren, ka ndërruar jetë në Turqi”, ka thënë Veseli.
Ky shpërthim ka ndodhur ende pa u ndërruar motmotet, rreth orës 21:33 më 31 dhjetor ku janë lënduar dy persona ndërsa dëme të shumta materiale janë shkaktuar të veturave të parkuara për rreth, banesave e lokaleve.
Shpërthimi sipas Policisë kishte ndodhur nga ndezja e një pike shitje të mjeteve piroteknike në trotuar.
”Rr. Ahmet Prishtina, Prizren 31.12.2024-21:30. Raportohet se ka ndodhur një shpërthim i zjarrit nga ndezja e mjeteve piroteknikë në një pikë-shitje në trotuar dhe si pasojë është përhap zjarri edhe në lokalet dhe ndërtesat për rreth kësaj pikë-shitjeje. Dy meshkuj kosovarë kanë pësuar lëndime trupore, të cilët janë dërguar në Emergjencë në Prizren dhe më pas njëri prej të lënduarve për shkak të gjendjes së rëndë është dërguar në QKUK Prishtinë. Në vendin e ngjarjes janë shkaktuar dëme materiale në objekte si banesa, lokale dhe automjete. Njësiti i zjarrfikësve ka dalë në vend ngjarje dhe kanë arritur ta shuajnë zjarrin”, thuhej në raportin e Policisë.
Policia disa ditë më parë në vazhdimësi kishte bërë thirrje për kujdes të shtuar nga mjetet piroteknike gjatë përdorimit të tyre.
“Ju inkurajojmë të festoni me kujdes dhe respekt për njëri-tjetrin. Kujdesuni për sigurinë tuaj, shmangni përdorimin e mjeteve të rrezikshme piroteknike, respektoni rregullat e qarkullimit rrugor dhe mos drejtoni automjetin nën ndikim të alkoolit. Bashkërisht, për një fundvit të qetë dhe të sigurt!”, thuhej në apelin e Policisë së Kosovës