“Ende nuk e kanë dëshmuar se dinë të ndërtojnë shtet”, Sadiku kritikon Kurtin dhe Ramën

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka kritikuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, duke pretenduar se mes tyre ka shumë ngjashmëri në mënyrën e qeverisjes dhe ushtrimit të pushtetit. Në një postim në Facebook, Sadiku ka thënë se të dy politikanët kanë prirje autoritare…

Lajme

19/10/2026 20:17

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka kritikuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, duke pretenduar se mes tyre ka shumë ngjashmëri në mënyrën e qeverisjes dhe ushtrimit të pushtetit.

Në një postim në Facebook, Sadiku ka thënë se të dy politikanët kanë prirje autoritare dhe kanë ndërtuar modele qeverisjeje ku pushteti përqendrohet rreth një personi.

Sipas tij, institucionet, agjencitë dhe ndërmarrjet publike trajtohen si zgjatime të partive, ndërsa besnikëria politike shpesh vihet mbi profesionalizmin.

Sadiku ka kritikuar edhe përfshirjen e Ramës dhe Kurtit në zhvillimet politike të shqiptarëve jashtë kufijve të vendeve që udhëheqin, duke përmendur veçanërisht Maqedoninë e Veriut dhe Luginën e Preshevës.

Ai ka vlerësuar se të dy flasin për sigurinë kombëtare, inteligjencën artificiale dhe gjeopolitikën, ndërkohë që qytetarët në Kosovë dhe Shqipëri vazhdojnë të përballen me probleme elementare në arsim, shëndetësi dhe shërbime publike.

“Flasin për teknologjinë e së ardhmes, ndërkohë që nuk i kanë zgjidhur problemet e së tashmes”, ka shkruar Sadiku.

Deputeti i LDK-së ka theksuar se fitorja në zgjedhje dhe fuqia politike nuk janë domosdoshmërisht dëshmi e suksesit në qeverisje.

“Pushtetin mund ta fitosh duke e përçarë një popull. Por lider bëhesh vetëm kur arrin ta bashkosh dhe ta zhvillosh atë”, ka shkruar ai.

Në fund të reagimit të tij, Sadiku ka dhënë një vlerësim kritik për të dy kryeministrat, duke vënë në pikëpyetje rezultatet e tyre në qeverisje.

“Këta të dy e kanë dëshmuar se dinë të fitojnë zgjedhje. Ende nuk e kanë dëshmuar se dinë të ndërtojnë shtet. Politikanë të fuqishëm, po. Liderë, jo. E patriotë, edhe më pak”, ka përfunduar Sadiku. /Lajmi.net/