Mustafa: Nëse Osmani njoftohej për rreziqe nga Serbia duhet sqaruar pse s’qëndronte në Kosovë- si Komandante Supreme atribut që ka qejf ta përsëris

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar ndaj deklaratave të presidentes Vjosa Osmani në lidhje me marrëveshjen e Uashingtonit dhe atë se ka informacione të besueshme se presidenti amerikan, Donald Trump, së voni ka parandaluar mundësinë e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë. Mustafa për lajmi.net i cilëson deklaratat e Osmanit…

Lajme

15/07/2025 14:43

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar ndaj deklaratave të presidentes Vjosa Osmani në lidhje me marrëveshjen e Uashingtonit dhe atë se ka informacione të besueshme se presidenti amerikan, Donald Trump, së voni ka parandaluar mundësinë e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë.

Mustafa për lajmi.net i cilëson deklaratat e Osmanit si “mashtrim” dhe e akuzon për hipokrizi, duke kujtuar kundërshtimin e saj të dikurshëm ndaj marrëveshjes së Uashingtonit, për të cilën tani, sipas tij, Osmani po flet si të ishte një sukses.

Sa i përket deklarimeve të Osmanit në emër të Trump, Mustafa thotë se nuk i takon Osmani që të interpretojë apo keqinterpretojë fjalët dhe vlerësimet e tij.

“Sa i përket Presidentit Trump, mendoj se nuk i takon znj. Osmani që të interpretojë apo keqinterpretojë fjalët dhe vlerësimet e tij. Çështjet e sigurisë nuk janë të domenit të interpretimit por të bashkëpunimit dhe të komunikimit. Trump është në Kosovë, sepse këtu janë ushtarët e tij, këtu është NATO, e cila nuk është deklaruar në asnjë rast për këtë rrezik, dhe nuk ka ndryshuar shkallën e mobilizimit ushtarak-luftarak”, tha Mustafa.

Ai shton më tej se presidentja nuk ka vepruar siç i takon një udhëheqëseje shteti në situata të tilla, duke kritikuar edhe mungesën e saj në vend, ai tha se kur shteti është në rrezik presidentja e vendit si komandante supreme qëndron në shtetin e saj.

Mustafa përmendi këtu edhe një detaj e ku tha se Osmanit i “konvenon” që t’ia atribuojnë shpesh herë epitetin e komandantes Supreme.

“Është e rendit, që kur Presidentja apo Kryeministri ka informacione mbi rreziqet ndaj sigurisë së vendit, ta thërrasin Këshillin e Sigurisë dhe ta njoftojnë edhe opinionin për atë që mund të njoftohet. Po ashtu, kur ka informacione se vendit po i kanoset rreziku nga Serbia, atëherë Presidentja, si komandante supreme, qëndron në shtetin e saj, që më së paku i ngjanë Presidentes Osmani. Ajo në këtë situatë, ‘të kohëve të fundit’, e cila thotë se është njoftuar nga brifingje të rregullta për rrezikun nga Serbia, më shumë ka qëndruar në vizita jashtë vendit se sa në Kosovë. Kjo tregon se diçka nuk është në rregull, ose me brifingjet ose me seriozitetin e detyrës së saj si komandante supreme, të cilin atribut ka qejf ta përsërisë shpesh”, tha Isa Mustafa.

Tutje Mustafa, e ka komentuar për lajmi.net moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar situatën si një krizë të thellë politike.

“Sa i përket konstituimit të Kuvendit, konsideroj se kemi të bëjmë me krizë politike. Ndërkaq, Kushtetuta është e qartë. Po ashtu, konsideroj se sa më tepër të involvohet Gjykata Kushtetuese, aq më shumë deqartësohet kjo çështje nga politika dhe relativizohet përgjegjësia dhe roli i anëtarëve të Kuvendit dhe i subjekteve politike”, tha Mustafa.

Sipas tij, problemi kryesor është mungesa e vullnetit të partisë fituese për të marrë përgjegjësinë dhe për të udhëhequr vendin, përderisa, siç thotë ai, ajo nuk i ka marrë votat e mjaftueshme për të sunduar.

“Problemi themelor qëndron në jogatishmërinë e partisë së parë për të marrë përgjegjësinë për të drejtuar vendin, në situatën kur nuk i ka fituar votat që i ka synuar, jo të qeverisë, por të sundojë me Kosovën. Kjo do duhej të jetë një sinjal i qartë se shteti nuk ndërtohet dhe nuk mbahet me politika populliste”, u shpreh ai.

Në fund, Mustafa shtoi se është hipokrizi të flitet për gabimet e së kaluarës kur vetë pushteti aktual po e mban peng funksionimin e shtetit.

“Përderisa faktori aktual politik nuk është në gjendje as ta konstituojë kuvendin, kot shërbehen me konstatime dhe me kritika se ne nuk bëjmë gabime si në të kaluarën. Sepse s’ka gabim më të madh sesa ta mbash peng shtetin tënd duke mbajtë peng besimin e qytetarëve”, përfundoi Mustafa.

Kujtojmë se as në tentativën e 47-të me radhë, të mbajtur sot, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të konstituohet. Ngërçi institucional po zgjat tashmë e disa javë pasi partitë politike nuk po arrijnë të bien dakord për krijimin e Komisionit për votimin e fshehtë, një hap që çon në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Ndryshe ditë më parë presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se ka informacione të besueshme se presidenti amerikan, Donald Trump, së voni ka parandaluar mundësinë e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë.Ajo i bëri komentet gjatë një ligjërate në Uashington, ku, po ashtu, rikujtoi sulmin e shtatorit 2023 në Banjskë, duke e cilësuar atë si një “akt agresioni” nga Serbia – “të përgatitur tërësisht brenda Serbisë”./Lajmi.net/