Mustafa: Nëse Kurti dhe Abdixhiku janë afër marrëveshjes për presidentin, pse nuk thirret nesër seanca për Kuvendin?

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa, ka komentuar deklaratat e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas takimit të tyre dyorësh në ambientet e Kuvendit të Kosovës. Pas takimit, si Kurti ashtu edhe Abdixhiku u shprehën se ekziston vullneti për të arritur një…

Lajme

18/08/2026 22:17

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa, ka komentuar deklaratat e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas takimit të tyre dyorësh në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Pas takimit, si Kurti ashtu edhe Abdixhiku u shprehën se ekziston vullneti për të arritur një pajtim rreth emrit të presidentit të ardhshëm.

Duke komentuar këto deklarata në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë 1, Mustafa ka ngritur pikëpyetje përse nuk po thirret seanca për konstituimin e Kuvendit, nëse palët janë afër një marrëveshjeje.

Sipas tij, edhe pas konstituimit të Kuvendit, partitë do të kenë kohë të mjaftueshme për të diskutuar dhe arritur marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.

“Çfarë arsye ka Kurti, pas këtij takimi që e kishin sot me Abdixhikun, që të mos ftohet nesër seanca për konstituimin e Kuvendit? A thanë që jemi afruar? Në takimin tjetër do të diskutojmë emra për president. Atëherë, nëse nesër konstituohet Kuvendi, ata i kanë edhe 60 ditë tjera për ta zgjedhur presidentin. Pra, nëse janë kaq afër marrëveshjes, pse nuk ftohet nesër seanca për konstituimin e Kuvendit?”, ka deklaruar Mustafa.

Ai ka thënë se mosftesa e seancës, sipas tij, tregon mungesë vullneti për krijimin e institucioneve të reja.

“Por kjo tregon që Albin Kurti nuk ka vullnet t’i japë vendit institucione, por po do ta zvarrisë çështjen e krijimit të institucioneve. Pse? Nuk dua të lëshohem në hipoteza, por ajo çka dua të them është që është urgjente që vendit t’i jepen institucione”, është shprehur deputeti i PDK-së.

Mustafa ka shtuar se nuk sheh më asnjë arsye që seanca për konstituimin e Kuvendit të mos thirret menjëherë.

“Nuk ka më asnjë arsye të vetme që të mos ftohet qysh nesër seanca për konstituimin e Kuvendit. Prandaj shtrohet pyetja: pse nuk po bëhet?”, ka përfunduar ai.