Mushkolaj: Nuk kemi problem me tekstin e Kushtetutës, por me deficitin e patriotizmit kushtetues
Ish-gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Gjyljeta Mushkolaj, ka thënë se kriza aktuale institucionale në Kosovë nuk buron nga formulimet e Kushtetutës, por nga mënyra se si po interpretohen dhe zbatohen dispozitat e saj. Mushkolaj ka vlerësuar se problemi kryesor është mungesa e asaj që ajo e quan “patriotizëm kushtetues”, duke theksuar se Kushtetuta nuk mund të…
Lajme
Ish-gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Gjyljeta Mushkolaj, ka thënë se kriza aktuale institucionale në Kosovë nuk buron nga formulimet e Kushtetutës, por nga mënyra se si po interpretohen dhe zbatohen dispozitat e saj.
Mushkolaj ka vlerësuar se problemi kryesor është mungesa e asaj që ajo e quan “patriotizëm kushtetues”, duke theksuar se Kushtetuta nuk mund të interpretohet në mënyrë të shkëputur, vetëm duke iu referuar një neni të veçantë.
“Ne nuk po ballafaqohemi me probleme të formulave të teksteve të Kushtetutës, por po ballafaqohemi me një problem shumë serioz të mungesës së një deficiti tejet të madh të patriotizmit kushtetues”, ka deklaruar Mushkolaj.
Sipas saj, interpretimi i Kushtetutës duhet të bëhet në tërësi dhe në frymën e saj, e jo përmes një qasjeje thjesht aritmetike.
“Kushtetuta nuk interpretohet me copa-copa, tu e nxjerrë nga një nen kushtetues dhe në kuptim aritmetikor të interpretimit të saj”, ka thënë ajo.
Mushkolaj ka folur edhe për procesin e hartimit të Kushtetutës së Kosovës, duke rikujtuar përfshirjen e faktorëve ndërkombëtarë dhe kontrollin e Komisionit të Venecias.
Ajo ka thënë se Kushtetuta e Kosovës është hartuar në një proces ku përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë mbikëqyrur nga afër punën, ndërsa dokumenti i është nënshtruar edhe një kontrolli të veçantë për të parë nëse përmbushte standardet dhe parimet evropiane.
“Përfaqësuesit ndërkombëtarë e kanë mbikëqyrur procesin e hartimit, edhe pse anëtarët e Komisionit Kushtetues kanë qenë vendorë”, ka deklaruar Mushkolaj.
Sipas saj, Kushtetuta nuk ka mundur të miratohej pa kaluar nëpër një kontroll të rreptë të Komisionit të Venecias.
“Komisioni i Venecias është përqendruar pikërisht në këto çështje me të cilat ne po ballafaqohemi sot dhe e kanë dhënë vizën, duke e konsideruar Kushtetutën e Kosovës si model të Kushtetutës”, ka thënë ajo.
Mushkolaj ka theksuar se përvoja e shteteve demokratike tregon se vetëm formulimi i një kushtetute nuk është i mjaftueshëm për funksionimin e demokracisë kushtetuese.
“Shkronja në Kushtetutë nuk mjafton për të pasur funksionim të duhur të demokracisë kushtetuese në një vend”, është shprehur ajo.
Duke iu referuar situatës aktuale politike dhe vështirësive në krijimin dhe funksionalizimin e institucioneve, Mushkolaj ka thënë se disa prej këtyre problemeve janë të lidhura edhe me mënyrën se si është ndërtuar sistemi kushtetues i Kosovës.
Ajo ka përmendur edhe obligimin që në institucionet qeverisëse të përfshihen përfaqësues të komuniteteve joshumicë, duke vlerësuar se kjo e bën më të vështirë krijimin e një mazhorance të qëndrueshme.
“Me çfarëdo mazhorance nuk të ketë të drejtë partia e cila fiton zgjedhjet. Kur flasim për fitues, është për fitues serioz që ka 50 për qind plus një”, ka thënë Mushkolaj.
Ajo ka theksuar se në demokracitë parlamentare, krijimi i qeverisë nënkupton një nivel të mjaftueshëm stabiliteti për funksionimin e institucioneve, ndërsa Kosova ka disa formula shtesë kushtetuese që ndikojnë në proces.
“Kur krijohet qeveria, konsiderohet se ka stabilitet të mjaftueshëm në të gjitha demokracitë perëndimore. Nuk ekziston në demokraci ndonjë formulë tjetër, ndërsa ne kemi formula ekstra, është obligimi që në qeveri kemi pjesëtarë të komuniteteve joshumicë”, ka deklaruar ajo.
Mushkolaj ka folur edhe për rëndësinë e betimit të deputetëve dhe procedurave që paraprijnë konstituimin e institucioneve, duke nënvizuar se betimi nuk është thjesht një formalitet.
“Cili ka qenë veprimi i parë që është dashur Kuvendi për ta filluar procesin e konstituimit? Është dashur të betohet. A ka qenë veç një tik apo ekziston ndonjë domethënie e betimit? Betimi është çështje serioze”, ka thënë Mushkolaj.
Sipas saj, edhe në çështje të tjera kushtetuese, si zgjedhja e presidentit, kushtetutat demokratike parashohin mekanizma dhe rrugë alternative kur nuk arrihet marrëveshja fillestare.
“Ka kushtetuta në mënyrë të ngjashme për zgjedhjen e presidentit. Për shembull, fillimisht kërkohet një shumicë dy të tretat dhe, nëse nuk mundet, nuk ka kompromis, është rrugëdalja e tretë”, ka theksuar ajo.
Në këtë kontekst, Mushkolaj ka bërë thirrje që Kushtetuta të shihet si një tërësi dhe të respektohet fryma e saj, duke e vënë theksin te përgjegjësia e aktorëve politikë dhe institucionale për funksionimin e demokracisë kushtetuese./dukagjini