Murati pas konstituimit: PDK-ja kërkoi Kuvendin për javë, por e bojkotoi ditën kur u bë i mundur
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se Kuvendi i Kosovës është konstituuar, duke kritikuar PDK-në për mospjesëmarrjen në seancë dhe mospropozimin e kandidatit për nënkryetar të Kuvendit. “Seanca e Kuvendit të sotëm po përmbyllet, pra po përmbyllet me sukses. Problemi, siç e dini, sot nuk ka qenë tek seanca e konstituimit. Problemi…
Lajme
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se Kuvendi i Kosovës është konstituuar, duke kritikuar PDK-në për mospjesëmarrjen në seancë dhe mospropozimin e kandidatit për nënkryetar të Kuvendit.
“Seanca e Kuvendit të sotëm po përmbyllet, pra po përmbyllet me sukses. Problemi, siç e dini, sot nuk ka qenë tek seanca e konstituimit. Problemi ka qenë tek çështja e presidentit, gjë e cila herën e kaluar, pra mandatin e kaluar, na dërgoi në zgjedhje”, tha Murati.
Sipas tij, Kuvendi është konstituuar me mungesën e njërit prej nënkryetarëve, pasi PDK-ja nuk propozoi kandidat.
“Kuvendi u konstitua me gjithsej me një mungesë të një nënkryetari për shkak të refuzimit nga grupi parlamentar i PDK-së për të propozuar kandidatin e tyre apo kandidaten e tyre për nënkryetar”, u shpreh ai.
Murati kritikoi PDK-në për qëndrimin e saj, duke thënë se kjo parti kishte kërkuar për javë të tëra konstituimin e Kuvendit.
“Me keqardhje mund ta them, sepse kemi parë që për sa e sa javë grupi parlamentar i PDK-së ka protestuar para qeverisë dhe në forma të tjera ka kërkuar në vazhdimësi, pra që të propozohet dhe të konstituohet Kuvendi. Ndërkaq në ditën kur Kuvendi konstituohet, ata vendosin të refuzojnë përgjegjësinë e tyre dhe të bojkotojnë seancën konstituive”, tha Murati.
Ai tha se LVV-ja ishte pajtuar të votonte kandidatët e partive opozitare për nënkryetarë, me qëllim të zhbllokimit të procesit.
“Ne u pajtuam që për hir të zhbllokimit të procesit dhe të ecim tutje, duke parë destruktivitetin e tyre, u pajtuam që të votojmë kandidatët e tyre, pavarësisht pra edhe nëse nuk pajtoheshim me ta apo nëse nuk kishim dakordësi politike paraprake”, tha Murati.
Duke folur për çështjen e presidentit, Murati tha se LVV-ja kishte kërkuar një marrëveshje politike para konstituimit të Kuvendit.
“Duke dashur ta evitojmë me çdo kusht shkuarjen përsëri në zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje ka insistuar që të ketë një dakordësi paraprake, pra para konstituimit të Kuvendit dhe para fillimit të rrjedhës së afateve, në mënyrë që të evitohet shkuarja në zgjedhje përsëri”, u shpreh ai.
Murati tha se LVV-ja kishte arritur një marrëveshje me LDK-në, por se ajo nuk ishte mbështetur nga të gjithë deputetët e kësaj partie.
“Në kuadër të kësaj, pra kemi bërë një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, mirëpo siç e keni parë nuk është marrëveshje e plotë në kuptimin për shkak se Lidhja Demokratike e Kosovës apo deputetë të caktuar të saj kanë shprehur rezervat e tyre përkitazi me këtë marrëveshje dhe kandidatit konsensual, pra profesor doktor Bekim Sejdiut”, tha ai.
Sipas Muratit, LVV-ja kishte vendosur të mbështeste kandidatët e partive të tjera për nënkryetarë, në mënyrë që të krijoheshin kushtet për zgjedhjen e presidentit.
“Pra njëra mënyrë ka qenë kjo përmes dakordimit politik, ku ne si Lëvizje Vetëvendosje 53 votat tona i japim për kandidatët e tyre për nënkryetar, nëse ata dakordohen që të votojnë së paku edhe kundër, pra të marrin pjesë në seancë në mënyrë që të mundësohet zgjedhja e Presidentit. Kjo ka qenë arsyeja”, deklaroi Murati.
Ai tha se pas refuzimit të opozitës për të marrë pjesë në proces, LVV-ja vendosi të vazhdojë me konstituimin e Kuvendit.
“Mirëpo kur e pamë që ata janë të përkushtuar të vazhdojnë me bllokadë, pra që assesi nuk janë të interesuar të konstituojnë Kuvendin, ne nuk jemi iracionalë. Pra ne jemi racionalë dhe vendosëm që megjithatë Kuvendi të konstituohet dhe të ecim tutje”, tha Murati.
Lidhur me votimin e deputetit nga Lista Serbe, Murati tha se çështja e nënkryetarit nga komuniteti serb është përcaktuar nga Kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese.
“Por siç e dini, në fillim të këtij viti, pra të vitit 2026, ka qenë Gjykata Kushtetuese ajo që ka thënë që nuk duhet të ketë kandidat tjetër përderisa Lista Serbe e ka shumicën, nënkryetari i Kuvendit i takon Listës Serbe. Pra Listës Serbe nënkryetarin e Kuvendit ia ka dhënë Gjykata Kushtetuese, jo ne”, tha ai.
Murati shtoi se LVV-ja kishte votuar kundër kandidatëve të Listës Serbe në legjislaturat e kaluara.
“Dhe ne, siç e dini, kemi insistuar, pra kemi votuar kundër të gjithë kandidatëve nga Lista Serbe në legjislaturat e kaluara, në mënyrë pra që të arrijmë tek kandidati i vetëm që nuk ishte nga Lista Serbe nga komuniteti serb jo shumicë”, tha ai. /Lajmi.net/