Analisti politik Shenoll Muharremi ka reaguar ashpër ndaj procesit të zgjedhjes së presidentit të Kosovës, duke e cilësuar atë si jodemokratik dhe të mbyllur për publikun.
Përmes një postimi, ai ka theksuar se vetëm një ditë para afatit ende nuk dihet emri i kandidatit apo kandidatëve për president, ndërsa sipas tij, mungon transparenca, debati publik dhe diskutimi serioz institucional.
“Në këtë situatë dhe kornizë që është krijuar me gjithë këto paqartësi, pa transparencë e bashkëpunim, nuk ka si të përfundoj mirë puna e zgjedhjes së presidentit”, ka shkruar Muharremi.
Ai ka kritikuar mënyrën e vendimmarrjes, duke thënë se “një person vendos për gjithçka” dhe se një qasje e tillë nuk përfaqëson demokraci funksionale, por më shumë një formë autokracie.
Sipas tij, në Kosovë ka dhjetëra figura të përshtatshme për postin e presidentit, por mungon vullneti politik për bashkëpunim dhe konsensus. Muharremi ka theksuar se nuk ka frymë kompromisi dhe kulturë institucionale, por një stil vendimmarrjeje që përjashton aktorët e tjerë politikë dhe qytetarët nga procesi.
Ai ka paralajmëruar se një model i tillë i drejtimit të shtetit, ku vendimet merren nga një person i vetëm, nuk mund të përfundojë mirë për vendin dhe dëmton shëndetin e demokracisë në Kosovë. /Lajmi.net/
Postimi i tij i plotë: