Mramori në hall me rrymën e dobët, kërkohet që KEDS-i të ngris kapacitetet

Ndonëse vetëm rreth 30 minuta larg kryeqytetit, Mramori vazhdon të përballet me vështirësi serioze në rrjetin e energjisë elektrike. Banorët e kësaj ane prej kohësh kanë probleme me furnizimin e dobët me rrymë, i cili u shkakton dëmtime të pajisjeve shtëpiake.   Rreth 150 shtëpi në dy lagje, sidomos me rënien e temperaturave, ballafaqohen me…

Lajme

16/12/2025 20:59

Ndonëse vetëm rreth 30 minuta larg kryeqytetit, Mramori vazhdon të përballet me vështirësi serioze në rrjetin e energjisë elektrike. Banorët e kësaj ane prej kohësh kanë probleme me furnizimin e dobët me rrymë, i cili u shkakton dëmtime të pajisjeve shtëpiake.

 

Rreth 150 shtëpi në dy lagje, sidomos me rënien e temperaturave, ballafaqohen me vështirësi të mëdha, ndërkohë që nevojat e këtij vendbanimi mbulohen nga një transformator që nuk garanton stabilitet të energjisë.

“Kemi pasur dëme shumë të mëdha ja janë këto pusetat bunarët që i shfrytëzojmë për ujë të pijshëm, tërë kohën i djeg ato pompat që janë, rryma tensioni shumë i ulët i djeg nganjëherëbie deri në 80 volt edhe po i djeg pajisjet e rrymës do të thotë i ka djegë me kamera me çdo gjë që kemi pasur gjatë katër viteve që ka ndodhë dy tre herë i ka djegë”, tha qytetari Enis Berkolli.

“Përveç damave që na iu ka bërë në pajisje ne e kemi edhe të pamundshme të funksionojmë në jetën e përditshme një ndër arsyet është sepse këtu ujësjellës, kanalizim nuk kemi ndërsa sistemin për shërbim me ujë e kemi prej bunarëve gjegjësisht prej bunarëve të ujit ku për shkak të tensionit të ulët nuk mund të funksionoj asgjë”, tha banori tjetër, Omer Sulejmani.

Pavarësisht ankesave të shumta drejtuar KEDS-it, banorët nuk kanë marrë asnjë përgjigje lidhur me përmirësimin e gjendjes aktuale. Sa i përket nevojës për vendosjen e një shtylle të re dhe problemit me tensionin e ulët të energjisë elektrike në Mramor, as RTK nuk ka marrë përgjigje tash e një javë.

Ndërkohë, banorët theksojnë se janë të gatshëm edhe të kontribuojnë financiarisht për rritjen e kapaciteteve dhe forcimin e tensionit të energjisë elektrike. RTK