“Mos ndërhyni në punën e Speciales” – BE pas dënimit të katërshes së UÇK-së: Autoritetet të garantojnë sigurinë në Kosovë

Bashkimi Evropian ka reaguar pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Në një deklaratë të dhënë për Telegrafin, një zëdhënës i BE-së tha se BE-ja e merr në dijeni aktgjykimin e sotëm dhe theksoi rëndësinë e zhvillimit të…

Lajme

16/09/2026 17:17

Bashkimi Evropian ka reaguar pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në një deklaratë të dhënë për Telegrafin, një zëdhënës i BE-së tha se BE-ja e merr në dijeni aktgjykimin e sotëm dhe theksoi rëndësinë e zhvillimit të procedurave gjyqësore në mënyrë të pavarur.

“BE-ja ka marrë në dijeni aktgjykimin e sotëm të shkallës së parë në rastin e Prokurorit të Specializuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Sipas zëdhënësit, Dhomat e Specializuara të Kosovës po e zhvillojnë procesin gjyqësor mbi bazën e përgjegjësisë individuale penale.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës po japin drejtësi duke zhvilluar procedura gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të pavarura, bazuar në parimin e përgjegjësisë individuale penale”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

BE-ja ka rikujtuar se të dënuarit kanë të drejtë të apelojnë vendimin.

“Personat e dënuar kanë të drejtë të apelojnë aktgjykimin para gjyqtarëve të pavarur të apelit në një trup gjykues të veçantë të Apelit”, ka deklaruar zëdhënësi i BE-së për Telegrafin.

Në deklaratë, BE-ja u ka bërë thirrje të gjitha palëve dhe akterëve në Kosovë dhe rajon që të tregojnë përmbajtje.

“BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve dhe akterëve, në Kosovë dhe në rajon, për përmbajtje. Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar duhet të jenë në gjendje ta zbatojnë mandatin e tyre pa ndërhyrje”, kanë deklaruar nga BE.

Zëdhënësi i BE-së tutje ka theksuar se drejtësia duhet të lejohet të ndjekë rrjedhën e saj, gjë që është veçanërisht e rëndësishme për viktimat.

BE-ja ka theksuar gjithashtu përgjegjësinë e institucioneve të Kosovës për sigurinë.

“Autoritetet kanë përgjegjësinë të sigurojnë sigurinë e të gjitha komuniteteve dhe banorëve në mbarë Kosovën.”

Në fund, BE-ja ka rikujtuar mbështetjen e saj të vazhdueshme për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke theksuar se ato janë themeluar përmes vendimeve të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015.

“Puna e tyre është e rëndësishme për sigurimin e llogaridhënies dhe dhënien e drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet e Kosovës, duke kontribuuar kështu në pajtim”, ka theksuar BE.

BE-ja ka kërkuar që të ruhet një mjedis pa frikës dhe hakmarrje, si dhe të mbrohen viktimat dhe dëshmitarët.