Monika Kryemadhi merr vendimin e gjykatës për masën ndaj saj, i quan akuza të rreme

Pas arrestimit të bujshëm të Ilir Metës paraditen e sotme te kthesa e Kasmzës në Tiranë, deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi është njohur me masën e sigurisë detyrim paraqitje ndaj saj. Përmes një njoftimi në rrjete sociale ajo bën me dije se sapo ka marrë në dorë vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër…

Lajme

21/10/2024 17:23

Pas arrestimit të bujshëm të Ilir Metës paraditen e sotme te kthesa e Kasmzës në Tiranë, deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi është njohur me masën e sigurisë detyrim paraqitje ndaj saj.

Përmes një njoftimi në rrjete sociale ajo bën me dije se sapo ka marrë në dorë vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Më tej Kryemadhi pretendon se akuzat për të cilat është caktuar masa e sigurisë ndaj saj janë të rreme.

Reagimi i Kryemadhit:

Të dashur qytetarë shqiptarë, miq dhe dashamirës të opozitës shqiptare dhe të familjes tonë. Ju falenderoj përzemërsisht për të gjitha mesazhet e solidaritetit gjatë kësaj paradite.

Krimet mostruoze transnacionale të Edi Ramës dhe miqve të tij, përdorues të rregullt të SKY dhe EÇ, nuk mund të amnistohen me pamjet e shëmtuara të ndalimit çnjerëzor të ish-Presidentit të Shqipërisë në mes të rrugës.

Vjedhjet shtetërore mafioze si ajo e inceneratorëve që vazhdojnë përditë dhe në çdo sektor, nuk lahen dot me gjyqet publike që mund ti bëjnë drejtuesve të opozitës shqiptare, përmes procesve gjyqësore pa prova dhe pa fakte.

Krimet e disa prokurorëve të prokurorisë speciale, që nuk guxojnë të përmendin emrat Edi Rama dhe Erion Veliaj, duke i amnistuar dhe duke ju nënshtruar pushtetit në kundërshtim me rolin e tyre ligjor si prokurorë të Republikës, kur Rama e Veliaj krimet i kanë kryer dhe i kryejnë duke lënë gjurmë në shkresa shtetërore, nuk mund të amnistohen edhe nëse zyrtarët-ushtarë të drejtësisë ngrejnë akuza politike ndaj çdo deputeti të opozitës në Kuvend, apo drejtuesi partie opozitare.

Ju siguroj se, pavarësisht të gjithë gjyqit politik dhe publik, unë kurrë nuk do të ndalem.Ju konfirmoj se po, gjykata politike e Edi Ramës ka marrë për mua vendimin për detyrim paraqitje. Kam udhëzuar ekipin e mbrojtësve të mi ligjor për të demontuar këtë farsë në çdo gjykatë brenda dhe jashtë vendim. Si kam deklaruar dhe më parë do të përballem me drejtësinë pa asnjë hezitim me të vërtetën time dhe procedurat ligjore brenda e jashtë vendit.