Mitrovica fituese e Kupës së Kosovës te femrat

Skuadra e Mitrovicës është fituese e Kupës së Kosovës në konkurrencën e femrave.

Sport

22/05/2019 22:54

Në ndeshjen finale që u zhvillua sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet në praninë e disa qindra tifozëve, vashat e drejtuara nga Seid Onbashi kanë shënuar fitore me rezultat bindës kundër Kosovës së Prishtinës, me shifrat 7:1, duke u kurorëzuar kësisoj për të dytin vit rresht me këtë trofe. Që nga fillimi i ndeshjes u konfirmua qartazi se cilësia ishte në anën e skuadrës mitrovicase dhe kjo nuk linte shumë dyshime sa i përket skuadrës e cila do t’i gëzohej trofeu.

Serinë e golave për Mitrovicën e hapi kapitenia Xhemile Berisha, në minutën e 14-të, duke e vazhduar më pas Liridon Syla (23’), Kaltrina Biçkaj (29’), para se prishtinaset ta shënonin golin e parë nëpërmjet Fjona Shabanit (40’), që në fund doli të ishte edhe goli i vetëm i skuadrës së drejtuar nga Ilir Sopi.

Ndërkaq, pak para se skuadrat të shkonin në pushim Donjeta Halilaj shënoi edhe golin e katërt për Mitrovicën. Edhe në pjesën e dytë ishin mitrovicaset ato që e menaxhuan më mirë lojën, falë edhe përgatitjes më të mirë fizike. Kjo rezultoi edhe me tre gola tjerë, një të shënuar nga kapitenia Xhemile Berisha (59’) dhe dy të tjera nga Kaltrina Biçkaj (85’, 89’), e cila kësisoj regjistroi het-trik në këtë finale. Të gjitha golat e kësaj ndeshje futbollistet e Mitrovicës ia kanë dedikuar bashkëlojtares së tyre dhe anëtares së Kombëtares së Kosovës, Edona Kryeziu.

Në fund, medaljet për të dyja skuadrat finaliste i ndanë anëtarja e KE të FFK-së dhe kryetarja e Komisionit të Futbollit të Femrave, Vjollcë Krasniqi, sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu dhe menaxherja e futbollit të femrave, Valbona Gashi-Uka, derisa trofeu iu dorëzua kapitenes, Xhemile Berisha.

Kosova (P) – Mitrovica 1:7
Stadiumi “Fadil Vokrri”
Gjyqtarë: L. Mustafa, A. Peshteri, V. Kelmendi, A. Halilaj
Kartonë të verdhë: B. Gjonbalaj – A. Gjegji
Karton i kuq: A. Gjegji (pas dy të verdhëve)
Kosova (P): Kryeziu, Bunjaku, Ternava, Shabani (Brajshori), Haklaj, Syla, Berisha, J.Gashi, A.Gashi, B.Gashi (Gjonbalaj), Tasholli (Osmani). Trajner: Ilir Sopi
Mitrovica: Rexhepi (Kolgeci), Elezaj, Osmani, Syla, Haziri, Bajra (Kastrati), Gjegji, Biqkaj, Berisha, Halilaj, Zeka (Rexha).
Trajner: Seid Ombashi

Deklaruan pas ndeshjes
Xhemile Berisha: Ndoshta për shikuesit duket ndeshje e lehtë, por për neve që jemi në fushë nuk është e tillë. Fillimi ka qenë i vështirë, më pas gjërat janë bërë më të lehta. Jemi përgatitur maksimalisht për këtë finale dhe e kemi respektuar kundërshtarin, por edhe rezultati bindës tregon cilësinë e lojtareve tona dhe po ashtu edhe ekipi është kompakt.

Seid Onbashi: Nuk kemi pritur se do të fitojmë me këtë rezultat bindës, pasi ndeshjet finale asnjëherë nuk janë të lehta dhe duke pasur parasysh edhe mungesat që kemi pasur në skuadër dhe pikërisht ky sukses i dedikohet futbollisteve që na u kanë lënduar kohët e fundit. I përgëzoj edhe lojtaret e Kosovës (P) që u angazhuan maksimalisht, por realiteti është se ne kemi më shumë cilësi brenda skuadrës dhe edhe një herë u vërtetua se e dominojmë futbollin e femrave në Kosovë.

Kaltrina Biçkaj: Faktikisht e kemi paramenduar më të vështirë këtë finale, ngase kemi pasur mungesa në ekip. Megjithatë, skuadra jonë ka fond të pasur të lojtareve dhe mungesa e disa lojtareve titullare nuk u vërejt shumë. Jam e lumtur që realizova tre gola dhe pa dyshim është një ndjenjë e veçantë kur këtë e arrin në një finale.

Verona Berisha: Nuk kam pritur që do të humbim me këtë rezultat, edhe pse Mitrovica ka kualitet të madh në ekip. Kur arrin në finale motivi është i madh dhe kishim shpresa që ndoshta do ta çonim ndeshjen në barazim, por cilësia e kundërshtarit dhe përgatitja fizike e bëri diferencën në lojë./Lajmi.net/