Ministria Mbrojtjes mirëpret raportin e DASH-it për Kosovën: Dëshmon progresin tonë në kaacitetet mbrojtëse

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci e ka mirëpritur Raportin e Departamentit të Shtetit i përgaditur për Kongresin mbi Politikën e Shteteve të Bashkuara për Promovimin e Stabilitetit Rajonal dhe Prosperitetit në Ballkanin Perëndimor. Ai ka thënë se ky raport konfirmon mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zhvillimin dhe transformimin…

Lajme

23/05/2026 11:11

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci e ka mirëpritur Raportin e Departamentit të Shtetit i përgaditur për Kongresin mbi Politikën e Shteteve të Bashkuara për Promovimin e Stabilitetit Rajonal dhe Prosperitetit në Ballkanin Perëndimor.

Ai ka thënë se ky raport konfirmon mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zhvillimin dhe transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë moderne, profesionale dhe multietnike të mbrojtjes territoriale.

“Ky vlerësim paraqet një dëshmi të qartë të progresit të arritur nga Republika e Kosovës në forcimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse, në përputhje me standardet euro-atlantike dhe në partneritet të ngushtë me SHBA-në dhe aleatët tanë. Përkrahja amerikane ka qenë dhe mbetet vendimtare në rrugëtimin tonë drejt ndërtimit të një force të aftë për mbrojtjen e sovranitetit, integritetit territorial dhe sigurisë së qytetarëve tanë”, ka shkruar Maqedonci.

Ai ka thënë se vlerësojnë lart njohjen e rolit të Kosovës si kontribuese në sigurinë ndërkombëtare.

“Angazhimi ynë për t’iu bashkuar përpjekjeve shumëkombëshe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit dëshmon se Kosova është një partner i besueshëm dhe një kontribuues aktiv në sigurinë rajonale dhe globale. Kjo pasqyron qartë transformimin e Kosovës nga konsumues i sigurisë në ofrues të saj. Republika e Kosovës do të vazhdojë të investojë në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse, në forcimin e bashkëpunimit me aleatët strategjikë dhe në avancimin e aspiratës sonë të palëkundur për integrim të plotë euro-atlantik”, ka shkruar Maqedonci.

Çfarë thotë raporti për Kosovën?

Për Kosovën, dokumenti thekson se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta inkurajojnë atë dhe Serbinë për të bërë përparim drejt normalizimit të marrëdhënieve, me synimin për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme, të negociuar dhe të pranueshme për të dyja palët.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve më 2023 në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, i cili mbështetet nga SHBA-ja.

Por, asnjëri vend nuk ka bërë hapa për ta zbatuar atë deri më tani.

Ndërkohë, lidhur me sigurinë, Uashingtoni thotë se “trupat amerikane vazhdojnë të marrin pjesë në KFOR, të cilin e cilëson si komponent kyç për garantimin e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes në Kosovë”.

Dokumenti po ashtu thekson mbështetjen për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë profesionale të mbrojtjes territoriale, si dhe përmend modernizimin e termocentraleve me qymyr dhe projektet e gazifikimit të qymyrit në Kosovë si pjesë të prioriteteve energjetike në rajon.