Ministria e Mbrojtjes: Presim miratimin në Kuvend dhe autorizimin e Presidentes për dërgimin e trupave në Gaza

Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar për Dukagjinin se Kosova është në proces të përgatitjeve për dërgimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Gaza, në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza, një mision i autorizuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara mbi bazën e Rezolutës 2803. Fillimisht dërgimi i trupave u bë i…

Lajme

02/03/2026 23:00

Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar për Dukagjinin se Kosova është në proces të përgatitjeve për dërgimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Gaza, në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza, një mision i autorizuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara mbi bazën e Rezolutës 2803.

Fillimisht dërgimi i trupave u bë i ditur në takimin e themelimit të Bordit të Paqes nga gjenerali amerikan Jasper Jeffers, i cili ka bërë të ditur se Kosova është ndër shtetet që ka shprehur zyrtarisht vullnetin për të kontribuar në këtë mision shumëkombësh, së bashku me dhjetëra vende të tjera partnere, njofton Dukagjini.

Ministria e Mbrojtjes për Dukagjinin bëri të ditur se më 10 dhjetor të vitit të kaluar kanë pranuar ftesën nga Komanda Amerikane e Qendrës për t’u përfshirë në procesin e themelimit të kësaj force stabilizuese. Takimi i parë koordinues është mbajtur në Doha të Katarit, ku kanë marrë pjesë përfaqësues nga rreth 40 shtete.

Po ashtu nga ministria thuhet se me miratimin e kryeministrit Albin Kurti, në këtë forum ndërkombëtar ka marrë pjesë Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneral-lejtënant Bashkim Jashari, i cili konfirmoi vullnetin politik të Kosovës.

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se kontributi i mundshëm i Kosovës do të përfshijë kapacitete të specializuara të Forcës së Sigurisë së Kosovës, përfshirë njësi për deminim, ekipe për kërkim-shpëtim, si dhe kapacitete të tjera profesionale që ndërlidhen me stabilizimin dhe garantimin e sigurisë në terren.

“Me aprovim të Kryeministrit Kurti, Komandanti i FSK-së, Gjeneral-lejtënant Bashkim Jashari ka marrë pjesë në këtë forum ndërkombëtar, ku kemi kemi shprehur dhe vullnetin politik që në mesin e 40 shteteve pjesëmarrëse, Kosova të ofrojë gatishmërinë për të kontribuar në këtë Forcë me një kombinim kapacitetesh, pra jo vetëm kapacitete tipike ushtarake apo vetëm kapacitete që kanë të bëjnë me deminim dhe kërkim-shpëtim, por dhe kapacitete relevante të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, thuhet nga Ministria e Mbrojtjes për Dukagjinin.

Aktualisht, procesi ka kaluar nga faza e shprehjes së vullnetit politik në atë të ndjekjes së procedurave ligjore dhe institucionale.

Në përputhje me Ligjin për Dërgimin e FSK-së Jashtë Vendit, po shqyrtohen aspektet operative dhe financiare, përfshirë koston e misionit në varësi të numrit të trupave dhe kohëzgjatjes së angazhimit.

Pas përfundimit të këtyre procedurave, vendimi do të dërgohet për miratim në Qeveri, më pas në Kuvendin e Kosovës dhe do të kërkojë autorizimin formal nga Presidentja e Republikës, sipas kornizës kushtetuese.

“Nga vullneti politik në zbatim praktik, tani jemi duke ndjekur hapat proceduralë që përcaktohen sipas Ligjit për Zbarkimin e FSK-së Jashtë Vendit, që përfshin edhe çështjen e kostos financiare në përputhje me numrin e trupave. Procesi më pas do të kalojë në Qeveri për vendim, dhe më pas për miratim në Kuvend, si dhe për dhe autorizim nga e Presidentja e Republikës”, thotë Ministria e Mbrojtjes.

Ministria e Mbrojtjes konfirmon për Dukagjinin se pjesëmarrja e Kosovës në këtë forcë stabilizuese përbën një vendim strategjik me rëndësi të veçantë për politikën e jashtme dhe të sigurisë së vendit.

Ky angazhim konsiderohet dëshmi e partneritetit të qëndrueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe e rolit në rritje të Kosovës si shtet kontribues në misione ndërkombëtare të sigurisë dhe paqes.

“Pjesëmarrja e Kosovës në këtë Forcë, është vendim strategjik, është dëshmi e partneritetit të palëkundur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe e rolit tonë si shtet kontribues e i përgjegjshëm në sigurinë ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjen e MM-së.