Milionat e premtuara

Kandidati i PDK’së për Mitrovicën, Avni Kastrati, ka premtuar 100 milionë euro investime dhe 4 mijë të punësuar. Fjalët e mëdha për zgjedhjet e 3 nëntorit tashmë kanë filluar.

Lajme

28/09/2013 15:21

Kandidati i PDK’së për Kryetar të Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka filluar me premtimet elektorale që kapin shifrën 100 milionë euro.

Në një intervistë për Kosovapress, ai ka thënë se do të jetë transparent në të gjitha çështjet që lejon ligji.

Ka thënë se ai duhet ta udhëheqë sërish Mitrovicën, sepse për qytetarët atje ka bërë më tepër se të gjithë.

“Unë mendoj se çdo qytetar garancinë më të madhe e ka në punën time në të kaluarën. Në të gjitha ndërmarrjet që kam punuar, kam treguar performansë, edhe këtu në pozicionin e Kryetarit të Komunës, por njëkohësisht edhe në programin që do të shpaloset më 3 tetor atëherë kur të fillojë fushata.”

Sa i përket elementeve kryesore të programit me të cilat do të identifikohet gjatë kësaj gare, ai ka thënë se programi i tij do të bazohet në 5 pika: zhvillimi ekonomik, përkrahja e bizneseve ekzistuese dhe bizneseve të reja që duhet të hapen, zhvillimi ekonomik prej zonës së lirë ekonomike, zhvillimi ekonomik në realizimin e projekteve kapitale që do të ndodhin në Mitrovicë, si dhe zhvillimi ekonomik që do të ndodhë në Kombinatin Trepça  për 4 vjeçarin e ardhshëm.

Sipas Kastratit, të gjitha këto do të mundësojnë punësimin e 4 mijë punëtorëve për 4 vjetët e ardhshme.

“Kriza ekonomike ekziston, mirëpo ne kemi treguar se edhe në 4 vjeçarin e kaluar, edhe pse ka pasur krizë ekonomike, ne kemi realizuar projektet tona në vlerë prej 100 milionë euro, në numër prej 722 projekte, prandaj kemi siguri të plotë prej Qeverisë së Kosovës, por edhe prej ndërkombëtarëve, se edhe për këtë 4 vjeçar do të kemi së paku 100 milionë investime në projekte kapitale, dhe njëkohësisht do të realizojmë së paku 400 projekte kapitale.”