​Mehaj kërkon fundin e krizave politike: Kosova ka nevojë për institucione të forta

Ish-ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj, ka kërkuar që pesë vitet e ardhshme të shërbejnë për konsolidimin e shtetit dhe fuqizimin politik, ekonomik, diplomatik dhe të sigurisë. Mehaj tha se Kosova dhe Shqipëria po kalojnë një periudhë që kërkon stabilitet, vizion dhe përgjegjësi kombëtare. Sipas tij, përçarjet dhe krizat e brendshme u shërbejnë vetëm…

Lajme

22/08/2026 12:02

Ish-ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj, ka kërkuar që pesë vitet e ardhshme të shërbejnë për konsolidimin e shtetit dhe fuqizimin politik, ekonomik, diplomatik dhe të sigurisë.

Mehaj tha se Kosova dhe Shqipëria po kalojnë një periudhë që kërkon stabilitet, vizion dhe përgjegjësi kombëtare. Sipas tij, përçarjet dhe krizat e brendshme u shërbejnë vetëm atyre që kundërshtojnë fuqizimin e shqiptarëve.

“Kosovës i duhet stabilitet politik dhe institucione të forta. Duhet t’i japim fund ciklit të zgjedhjeve dhe krizave të njëpasnjëshme”, shkroi Mehaj.

Ai theksoi se zgjedhjet duhet të prodhojnë zgjidhje dhe institucione funksionale, e jo ta kthejnë vendin vazhdimisht në pikën zero.

Ish-ministri kërkoi një diplomaci më aktive dhe një agjendë të qartë kombëtare. Sipas tij, prioritet duhet të jenë forcimi i marrëdhënieve me aleatët, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara, anëtarësimi në NATO dhe plotësimi i kushteve për integrim në Bashkimin Evropian.

Mehaj kërkoi edhe fuqizimin e kapaciteteve të sigurisë, mbrojtjes dhe drejtësisë. Ai tha se institucionet profesionale dhe sundimi i ligjit krijojnë besim për investime të huaja dhe zhvillim ekonomik.

Ai vlerësoi se integrimi evropian duhet të jetë prioritet kombëtar për Shqipërinë. Ndërkohë, kërkoi forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në ekonomi, siguri, diplomaci, energji dhe infrastrukturë.

Mehaj tha se Presheva, Medvegja dhe Bujanoci duhet të jenë ndër prioritetet kombëtare. Ai kërkoi më shumë angazhim diplomatik, vizita të përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe dokumentim të diskriminimit ndaj shqiptarëve në këto treva.

Sipas tij, nevojitet më shumë unitet dhe bashkërendim ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut e Luginën e Preshevës.

“Po rrezikojmë të ndjekim agjendën diplomatike të dashakeqëve tanë, në vend që ta ndërtojmë dhe ta ndjekim agjendën tonë kombëtare”, deklaroi Mehaj.

Ai vlerësoi durimin, qetësinë dhe maturinë e qytetarëve përballë sfidave, duke shtuar se qëndrimet e tij i shpreh “me bindje dhe përgjegjësi”.