64 minatorë të ngujuar në 645 metra thellësi, IHDNj kërkon hetim nga Prokuroria: Çdo minutë është e rëndësishme

Instituti për Hulumtime dhe të Drejtat e Njeriut (IHDNj) ka shprehur shqetësim të thellë dhe ka kërkuar reagim të menjëhershëm lidhur me ngujimin e 64 minatorëve në minierën e Stan Tërgut. “Sipas informacioneve nga terreni, minatorët ndodhen nën tokë, të shpërndarë në horizontet 11, 10, 9 dhe 8, në thellësi që arrijnë deri në rreth…

Lajme

07/10/2026 23:39

Instituti për Hulumtime dhe të Drejtat e Njeriut (IHDNj) ka shprehur shqetësim të thellë dhe ka kërkuar reagim të menjëhershëm lidhur me ngujimin e 64 minatorëve në minierën e Stan Tërgut.

“Sipas informacioneve nga terreni, minatorët ndodhen nën tokë, të shpërndarë në horizontet 11, 10, 9 dhe 8, në thellësi që arrijnë deri në rreth 645 metra”, thuhet në reagimin e IHDNj-së.

IHDNj u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve dhe ekipeve përgjegjëse që të angazhohen maksimalisht për shpëtimin dhe nxjerrjen e sigurt të të gjithë minatorëve. Sipas tyre, jeta dhe siguria e minatorëve duhet të jenë prioriteti absolut.

“Çdo minutë është e rëndësishme dhe operacioni i shpëtimit duhet të zhvillohet me urgjencë, profesionalizëm dhe koordinim të plotë”, vijon reagimi.

“Sipas informacioneve të deritanishme, dalja e minatorëve po realizohet përmes rrugëve emergjente, ndërsa ekipet përkatëse po punojnë për të mundësuar nxjerrjen e sigurt të të gjithë punëtorëve”, theksohet tutje.

IHDNj ka kërkuar gjithashtu që të sqarohen plotësisht rrethanat e rastit, shkaqet e incidentit dhe nëse të gjithë mekanizmat, pajisjet dhe procedurat e sigurisë kanë funksionuar siç duhet.

“Është e domosdoshme të sqarohen plotësisht rrethanat e rastit, shkaqet e incidentit dhe nëse të gjithë mekanizmat, pajisjet dhe procedurat e sigurisë kanë funksionuar siç duhet”, theksohet tutje.

Njëkohësisht, IHDNj ka kërkuar nga Prokuroria kompetente që të nisë hetime të plota, të pavarura dhe të paanshme për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti.