Me Hamzën u takua në Qeveri, Kurti sot Abdixhikun e takon në Kuvend të Kosovës

Derisa afati për zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës, po shkon drejt fundit, partitë politike kanë filluar angazhimin për ta zgjedhur atë. Për të gjetur një koncensus, Kurti po i takon me radhë krerët e partive politike. Ai dje ka takuar të parin e PDK-së, Bedri Hamzën në objektin e Qeverisë, saktësisht në zyrën…

Lajme

23/02/2026 12:00

Derisa afati për zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës, po shkon drejt fundit, partitë politike kanë filluar angazhimin për ta zgjedhur atë.

Për të gjetur një koncensus, Kurti po i takon me radhë krerët e partive politike.

Ai dje ka takuar të parin e PDK-së, Bedri Hamzën në objektin e Qeverisë, saktësisht në zyrën e tij.

Pas këtij takimi, Kurti tha se “Hamza shprehu gatishmërinë për koordinim parlamentar për çështje të interesit shtetëror e kombëtar”.

“U diskutua për zhvillimet politike në vend e më gjerë dhe nevojën për të hapur një kapitull të ri të komunikimit dhe dialogut konstruktiv qeveri-opozitë në të mirë të Republikës sonë dhe pluralizmit partiak e demokratik. Natyrisht, temë e bisedës ishte edhe çështja e zgjedhjes së Presidentit, për çfarë kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë kohë në bazë të afateve kushtetuese. U konstatua që bashkëpunimi është i nevojshëm, duke qenë se duhen së paku 2/3 e deputetëve të Kuvendit për votim të suksesshëm”, tha Kurti pas takimit me Bedri Hamzën.

Kreu i PDK-së, pas takimit me Kurtin, tha se zgjedhja e Presidentit nuk është çështje vetëm e një partie, por e të gjithë përfaqësuesve të zgjedhur.

“Si subjekt politik opozitar, nuk kemi qenë dhe nuk jemi pengesë e proceseve shtetërore, por as nuk mbështesim kandidatura që nuk përfaqësojnë unitetin qytetar, sipas frymës kushtetuese. Uroj që të ketë reflektim nga ata që e kanë përgjegjësinë kushtetuese për të propozuar kandidatura me mbështetje të gjerë, duke shmangur kalkulimet afatshkurtra partiake. Stabiliteti institucional është jetik dhe duhet të trajtohet si i tillë”, tha Hamza, që është edhe kryetar i partisë më të madhe opozitare, PDK.

Kurti, sot do të takoj edhe liderin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.

Takimi mes tyre, ndryshe nga ai Kurti-Hamza, do të mbahet në hapësirat e Kuvendit të Kosovës në ora 14:00.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

“Kryeministri Kurti takon sot kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku në orën 14:00 në hapësirat e Kuvendit”, ka thënë ai.

Parlamenti i Kosovës duhet të zgjedhë presidenten apo presidentin e vendit më së largu deri më 4 mars, pra jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentes aktuale, Vjosa Osmani, mandati i së cilës përfundon më 4 prill 2026.

Për të garuar për president të vendit, një kandidati i duhet t’i sigurojë të paktën 30 nënshkrime të deputetëve, ndërsa nevojiten dy të tretat e votave në Kuvendin e Kosovës me 120 deputetë për t’u zgjedhur President.

Kuorumi në Kuvend arrihet me 80 deputetë, ndërsa, nëse në dy rundet e para të votimit një kandidat nuk i siguron 80 vota, atëherë në votimin e tretë mjafton t’i ketë 61 sosh. Dështimi eventual për ta zgjedhur presidenten apo Presidentin e ri të Kosovës deri më datën 04.03 do ta fuste vendin sërish në një krizë të re politike, duke e çuar Kosovën në zgjedhje të parakohshme parlamentare për herë të dytë brenda pak muajsh.  /Lajmi.net/