Mbi 430 milionë euro për armatim, Qeveria zotohet për investime mbi 1 miliard euro në FSK

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë mandatit aktual synon të investojë mbi 1 miliard euro në ushtri, duke theksuar se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) pritet t’i arrijë dy vjet më herët kapacitetet ushtarake të planifikuara për vitin 2028. Sipas njoftimit të Qeverisë, gjatë mandatit të kaluar buxheti i ushtrisë është…

Lajme

24/10/2026 17:54

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë mandatit aktual synon të investojë mbi 1 miliard euro në ushtri, duke theksuar se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) pritet t’i arrijë dy vjet më herët kapacitetet ushtarake të planifikuara për vitin 2028.

Sipas njoftimit të Qeverisë, gjatë mandatit të kaluar buxheti i ushtrisë është trefishuar, ndërsa në FSK janë rekrutuar 3 mijë e 220 ushtarë të rinj, duke bërë që numri i pjesëtarëve të saj të rritet më shumë se dyfish, transmeton lajmi.net.

Qeveria ka njoftuar se gjatë këtij viti pritet të nisë trajnimin edhe një gjeneratë e re e rekrutëve, me synimin që të përshpejtohet realizimi i objektivave strategjike për zhvillimin e kapaciteteve ushtarake të vendit.

Në kuadër të modernizimit të ushtrisë, sipas njoftimit, janë realizuar blerje të armatimit në vlerë mbi 430 milionë euro.

Sa i përket pajisjeve ushtarake, Qeveria ka përmendur dronët Bayraktar dhe SkyDagger si pjesë të mbështetjes ajrore të FSK-së, ndërsa ka bërë të ditur se ushtria disponon mbi 40 lloje të armatimit të rëndë dhe të lehtë.

Në njoftim theksohet se investimet dhe shtimi i numrit të pjesëtarëve janë pjesë e përpjekjeve për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës dhe përmbushjen e synimeve strategjike të ushtrisë.

“Ushtria jonë është duke u kompletuar çdo ditë e më shumë, e për këtë ne jemi shumë të vendosur. Synimi ynë është i qartë, t’i dalim zot atdheut e ushtria jonë pjesë e NATO-s”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Qeveria ka ritheksuar se forcimi i FSK-së dhe modernizimi i pajisjeve ushtarake mbeten ndër prioritetet e saj, me synimin që Kosova të ketë kapacitete më të avancuara për mbrojtjen e vendit dhe të vazhdojë orientimin drejt integrimit në NATO.

Njoftimi:

Gjatë mandatit të kaluar, u trefishua buxheti i ushtrisë. Në këtë mandat, zotimi ynë është të investojmë mbi 1 miliard euro në ushtri.

Kemi rekrutuar 3,220 ushtarë të rinj, duke zgjeruar radhët e Forcës sonë dhe duke arritur më shumë se dyfishimin e saj në numër. Pas jush kemi edhe një gjeneratë tjetër që do të fillojë këtë vit trajnimin dhe, së bashku me ta, ne po i mbërrijmë kapacitetet ushtarake që janë paraparë të arrihen në vitin 2028. Pra, kemi përshpejtuar për dy vjet realizimin e objektivave tona strategjike.

Kemi realizuar blerje të armatimit me vlerë mbi 430 milionë euro. Mbështetjen ajrore e kemi me dronat Bayraktar dhe SkyDagger ndërsa nga toka kemi mbi 40 lloje të armatimit të rëndë e të lehtë, modern e sipas standardëve të NATO-s. Ushtria jonë është duke u kompletuar çdo ditë e më shumë, e për këtë ne jemi shumë të vendosur. Synimi ynë është i qartë, t’i dalim zot atdheut e ushtria jonë pjesë e NATO-s./lajmi.net/