Mbi 19 mijë qytetarë nënshkruajnë Peticionin Kombëtar të iniciuar nga shoqatat e dala nga lufta

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka njoftuar se mbi 19 mijë persona e kanë nënshkruar deri më sot, 26 shkurt, Peticionin Kombëtar të lansuar nga shoqatat e dala nga lufta. Në njoftimin e publikuar, OVL-UÇK ka bërë të ditur se peticioni u drejtohet Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, në fazën…

Lajme

26/02/2026 21:43

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka njoftuar se mbi 19 mijë persona e kanë nënshkruar deri më sot, 26 shkurt, Peticionin Kombëtar të lansuar nga shoqatat e dala nga lufta.

Në njoftimin e publikuar, OVL-UÇK ka bërë të ditur se peticioni u drejtohet Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, në fazën përfundimtare të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, transmeton lajmi.net.

“Mbi 19 mijë mbështetës të UÇK-së kanë nënshkruar Peticionin Kombëtar. Bashkohu edhe ti”, thuhet në postimin e OVL-UÇK-së, përmes të cilit ftohen qytetarët të vazhdojnë mbështetjen.

Përmes këtij peticioni, nënshkruesit kërkojnë që vendimi i Dhomave të Specializuara të bazohet ekskluzivisht në prova dhe fakte të administruara gjatë gjykimit, duke theksuar nevojën për paanshmëri dhe shmangie të çdo ndikimi politik.

Po ashtu, në peticion kërkohet respektim i plotë i të drejtave themelore të të akuzuarve, trajtim dinjitoz dhe njerëzor, vlerësim rigoroz i provave sipas standardeve ndërkombëtare, si dhe përjashtim i provave të siguruara nga autoritetet serbe. Një ndër kërkesat është edhe rishqyrtimi i aplikimit të konceptit të përgjegjësisë komanduese në kontekstin e luftës në Kosovë.

Shoqatat e dala nga lufta e cilësojnë vendimin e pritshëm si historik, me ndikim juridik dhe politik, duke theksuar se ai do të ketë ndikim edhe në perceptimin e drejtësisë dhe besimit në institucionet ndërkombëtare./lajmi.net/