Manipulim algoritmik në TikTok gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit: LVV-ja në krye të aktivitetit – zbulon raporti

Raporti i fundit i “Balkan Free Media Initiative” (BFMI) dhe “Sensika Technologies”, i titulluar “Përballja me ‘TikTokkracinë’ në Ballkan: një plan veprimi për luftimin e manipulimit algoritmik në Evropë”, i cili shqyrtoi mjedisin online në Kosovë gjatë periudhës së zgjedhjeve parlamentare të shkurtit 2025, ka gjetur dëshmi të manipulimit algoritmik të ngjashëm me atë të…

Lajme

19/11/2025 09:10

Raporti i fundit i “Balkan Free Media Initiative” (BFMI) dhe “Sensika Technologies”, i titulluar “Përballja me ‘TikTokkracinë’ në Ballkan: një plan veprimi për luftimin e manipulimit algoritmik në Evropë”, i cili shqyrtoi mjedisin online në Kosovë gjatë periudhës së zgjedhjeve parlamentare të shkurtit 2025, ka gjetur dëshmi të manipulimit algoritmik të ngjashëm me atë të vërejtur në Rumani dhe Bullgari.

Raporti thekson se në Kosovë janë përdorur metoda që përfshinin taktikën e “Fire Hose”, pra postime dhe komente masive, sinkronizim dhe “marrje peng” të hashtagëve.

Shumica e aktivitetit të dokumentuar, sipas raportit, ishin të fokusuar te Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj, Albin Kurti, transmeton albanianpost.

“Gjetjet tregojnë se TikTok ka luajtur një rol të rëndësishëm në formësimin e narrativave politike gjatë zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, veçanërisht pasi konsiderohet si rrjeti social më i përdorur në vend sipas disa vlerësimeve”, potencohet në raport.

Taktika “Fire Hose”, sipas raportit, synon prodhimin e vëllimeve jashtëzakonisht të larta nga pak apo edhe një përdorues i TikTokut me qëllim përmbytjen e sistemit rekomandues të TikTok-ut.

“Për shembull, një llogari, @hamzahatika46, publikoi mbi 18,000 video gjatë fushatës, duke grumbulluar më shumë se 13 milionë ndërveprime. Një intensitet i tillë postimesh sugjeron koordinim të automatizuar ose gjysmë të automatizuar, të dizajnuar për të maksimizuar dukshmërinë, për të tejmbushur përmbajtjen organike dhe për të dominuar diskursin”, thuhet në raport.

Kulmi i aktivitetit të koordinuar, veçanërisht rreth datave 8–10 shkurt, sipas rasportit, tregojnë për një përpjekje të orkestruar për të ndikuar në sentimentin online dhe dukshmërinë gjatë një periudhe kritike politike.

“Analiza e hashtagëve demonstron manipulim të gjerë të hashtagëve politikë, të përgjithshëm dhe gjeografikë, duke kombinuar etiketa si #lvv ose #ldk me #fyp, #viral dhe #kosova, për ta ekspozuar përmbajtjen politike tek përdorues që nuk ndjekin zakonisht tema politike. Gjithashtu është gjetur marrje peng e hashtagëve, me etiketa të partive rivale që janë përdorur për të qarkulluar përmbajtje kritike ose mashtruese kundër kundërshtarëve”.

Në dhjetor 2024, Rumania anuloi zgjedhjet presidenciale pasi u zbulua se dhjetëra mijëra llogari të rreme në TikTok e kishin shtyrë një kandidat pro-rus nga anonimiteti deri në fitore.