Man City kërkon kalimin e krizës në duelin ndaj Tottenhamit

Manchester City është mysafir i Tottenhamit në Premierligë.

Sport

14/04/2018 10:30

Manchester City duket se po kalon periudhën më të errët të sezonit, pasi ka pësuar 3 humbje radhazi, që i kushtuan eliminimin nga Champions League dhe shtyrjen e festës së titullit. Skuadra e Guardiolës u ‘dorëzua’ në të dy përballjet ndaj Liverpoolit, ndërsa mes tyre u mposht me përmbysje edhe nga Manchester United, duke mos festuar dot titullin kampion 6 javë para fundit.

Në javën e 33-të ‘Citizens’ do udhëtojnë në Londër, ku do të përballen me Tottenhamin në ‘Wembley’, me synimin e vetëm, rikthimin te fitorja. Nga ana tjetër, vendasit e Pochettinos vijnë pas një serie mjaft poitive rezultatesh, pasi numërojnë disa fitore radhazi dhe kanë blinduar pozitat në zonën Champions,por mbrëmjen e sotme do të synojnë t’ia shtyjnë akoma më shumë festën e titullit, Cityt të Guardiolës. Kjo sfidë, ndryshe nga zakonisht, do të luhet në mbrëmje, në orën 20:45.

Më herët, në orën 13:30 Chelsea do të udhëtojë drejt Southamptonit, me synimin për t’u rikthyer te fitorja dhe për të ruajtur pozitat në zonën Europa League. Skuadra e Contes rezultoi një dështim këtë sezon, pasi jo vetëm që dorëzoi pa kushte titullin kampion, por nuk arriti as në zonën Champions për sezonin e ardhshëm. Gjithsesi, shpresat e londinezëve për të marrë pjesë në Champions janë ende gjallë, pasi në rast triumfi të Liverpoolit në edicionin aktual, do të kualifikohej automatikisht edhe vendi i 5-të i Premier Leagues, ndaj ‘blutë e Londrës’ do të kërkojnë fitoren sot, për t’u konsoliduar në këtë pozicion.