Makolli propozon ngritjen e një shtatoreje për Thomas Bach në Prishtinë
Kryetari i Federatës së Kick-Boksit të Kosovës, Fatmir Makolli, ka dorëzuar një propozim zyrtar në Komitetin Olimpik të Kosovës, duke kërkuar që në Asamblenë e Përgjithshme më 28 gusht, të përfshihet në rend dite iniciativa për ngritjen e shtatores së Thomas Bach, ish-kreut të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), për kontributin e madh në pranimin e…

Sport
Kryetari i Federatës së Kick-Boksit të Kosovës, Fatmir Makolli, ka dorëzuar një propozim zyrtar në Komitetin Olimpik të Kosovës, duke kërkuar që në Asamblenë e Përgjithshme më 28 gusht, të përfshihet në rend dite iniciativa për ngritjen e shtatores së Thomas Bach, ish-kreut të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), për kontributin e madh në pranimin e Komitetit Olimpik të Kosovës në IOC.
Makolli ka thënë për KosovaPress, se ky propozim vjen si shenjë falënderimi për kontributin e jashtëzakonshëm të Thomas Bach në procesin e pranimit në Komitetit Olimpik Ndërkombëtar më 2014.
Sipas tij, pa anëtarësimin në IOC, sportistët kosovarë nuk do të kishin mundësi të përfaqësoheshin në ngjarje të rëndësishme, ku Kosova ka fituar medalje olimpike.
“Komiteti Olimpik i Kosovës do të mbajë Asamblenë e Përgjithshme më 28 gusht (2025). Unë e kam një propozim rreth kryetarit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Thomas Bach, të cilit kam propozuar t’i ngrihet një shtatore në Kosovë, pasi dihet kontributi i tij i madh për licencimin e Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Ka qenë një kontribut shumë i madh. Unë kam qenë kur është pranuar KOK-u në Monako, në vitin 2014 dhe atëherë edhe federatave dhe sportistë tanë në përgjithësi të Kosovës u janë hapur dyert, e që tani kemi edhe medalje olimpike. Po mos të kishim qenë anëtar të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, ne nuk do të mund të merrnim pjesë në lojëra olimpike”, tha Makolli.
Makolli theksoi se edhe pse shumë njerëz kanë kontribuar në këtë arritje, roli i Bach ka qenë i një rëndësie të veçantë. Ai shprehet optimist se një propozim i tillë do të gjejë përkrahje në Asamblenë e Përgjithshme të KOK-ut.
“Unë mendoj që edhe shumë njerëz të tjerë kanë kontribuar që KOK-u të jetë anëtar i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, por me rëndësi e veçantë dhe kam menduar që ia vlen të ngrihet një shtatore këtij njeriut dhe personalitetit të madh botëror (Thomas Bach) …Unë e kam dërguar në KOK propozimin dhe besoj që unanimisht delegatët e federatave të sportit do ta përkrahin këtë iniciativë. Kjo nuk është punë e madhe për shtetin dhe KOK-un t’ia ngrejë një shtatore…Në Prishtinë dihet, ku ngrihet shtatorja”, u shpreh Makolli.
Makolli ka bërë të ditur gjithashtu se, pas dërgimit të kërkesës zyrtare, ka marrë përgjigje pozitive nga sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, i cili sipas tij e ka cilësuar propozimin si “të qëlluar”.
Por, Makolli tha se nga KOK-u i është thënë se propozimi është dërguar me vonesë, pasi ka kaluar afati për propozimin e pikave të rendit të ditës.
“Pasi e kam dërguar kërkesën për propozimin, Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik ma ka kthyer emalin dhe ka thënë ky është propozim është shumë i qëlluar dhe besoj që edhe delegatët e tjerë do të kenë një qasje të mirë për këtë propozim. Ka thënë se jemi vonuar pak për propozim se ka qenë afati i caktuar kur të propozohen pikat e rendit të ditës…E ka cekur që presidenti i KOK-ut do të propozojë në fillim të Asamblesë të futet në rend ditës ky propozim”, tha Makolli.
Ish-presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, e ka vizituar Kosovën në prill 2015, menjëherë pas pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në IOC në dhjetor 2014. Ndërsa hera e dytë ishte në dhjetor 2024, me rastin e 10-vjetorit të anëtarësimit të KOK-ut në këtë organizatë ndërkombëtare.
Thomas Bach u zgjodh president nderi i përjetshëm i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), pas përfundimit të mandatit të tij si president i IOC-së më 23 qershor 2025./kp