LVV reagon pas tërheqjes së Sejdiut: U arrit marrëveshja, por u bllokua

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka shprehur keqardhje për tërheqjen e profesorit Bekim Sejdiu nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës. Përmes një postimi në Facebook, LVV ka thënë se Sejdiu ishte kandidat i përbashkët i dalë nga marrëveshja ndërmjet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sipas LVV-së, marrëveshja ishte arritur pas bisedimeve politike me qëllim…

Lajme

14/09/2026 22:21

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka shprehur keqardhje për tërheqjen e profesorit Bekim Sejdiu nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, LVV ka thënë se Sejdiu ishte kandidat i përbashkët i dalë nga marrëveshja ndërmjet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sipas LVV-së, marrëveshja ishte arritur pas bisedimeve politike me qëllim që vendit t’i jepej një zgjidhje dhe të shmangej një periudhë e re e pasigurisë institucionale.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! i qëndroi kësaj marrëveshjeje dhe kandidatit të përbashkët deri në fund”, thuhet në reagim.

LVV ka kritikuar deputetë të LDK-së, duke pretenduar se një pjesë e tyre dolën kundër kandidaturës, ndërsa PDK-ja dhe Aleanca deklaruan se nuk do të merrnin pjesë në procesin e zgjedhjes së Presidentit.

“Kështu u krijuan rrethanat që e pamundësuan zgjedhjen e Presidentit në Kuvend”, ka deklaruar LVV.

Në reagim thuhet gjithashtu se për muaj me radhë është kërkuar dialog dhe kompromis, ndërsa pas arritjes së marrëveshjes dhe përcaktimit të kandidatit të përbashkët, sipas LVV-së, nisi pengimi i saj.

“Kur mospjesëmarrja përdoret për ta pamundësuar votimin, atëherë nuk kemi më dallim politik rreth një kandidati, por pengim të vetë procesit kushtetues dhe dërgimin e vendit në zgjedhje të përsëritura”, thuhet në reagimin e LVV-së.

Në fund, Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka falënderuar profesor Bekim Sejdiun për gatishmërinë për t’i shërbyer Republikës dhe për qëndrimin e tij gjatë këtij procesi.

“Kosova e pati marrëveshjen dhe kandidatin e përbashkët. E pati mundësinë që çështja e Presidentit të zgjidhej në Kuvend. Por u bllokua, sërish”, përfundon reagimi. /Lajmi.net/