Lushaku-Sadriu: Sot u dëshmua se me vullnet politik bëhen institucionet
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se zhvillimet e sotme në Kuvend dëshmojnë se institucionet mund të bëhen funksionale kur ekziston vullneti politik. Ajo ka deklaruar se LDK-ja iu bashkua seancës konstituive pas ndryshimit të qëndrimit të Lëvizjes Vetëvendosje për votimin e nënkryetarëve, ndërsa Kujtim Shala u zgjodh nënkryetar i Kuvendit…
Lajme
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se zhvillimet e sotme në Kuvend dëshmojnë se institucionet mund të bëhen funksionale kur ekziston vullneti politik.
Ajo ka deklaruar se LDK-ja iu bashkua seancës konstituive pas ndryshimit të qëndrimit të Lëvizjes Vetëvendosje për votimin e nënkryetarëve, ndërsa Kujtim Shala u zgjodh nënkryetar i Kuvendit nga radhët e LDK-së.
“Kjo është një dëshmi që kur vullneti politik dhe ushtrimi i demokracisë bëhet më i lehtë, bëhen institucionet. Do të thotë, po shihet që vetëm mungesa e vullnetit politik të grupit të parë parlamentar ka bërë që të ketë vonesa deri ditën e sotme”, tha Lushaku-Sadriu.
Ajo tha se LDK-ja kishte kërkuar që partive politike t’u njihej e drejta për të propozuar kandidatët e tyre për nënkryetarë.
“Ne në seancën e fundit u kemi bërë thirrje që t’ua njohin të drejtën partive politike për propozimin e emrave për nënkryetarë të tyre dhe vetëm pas ndërrimit të qëndrimit të tyre ne erdhëm dhe u bashkëngjitëm në seancë dhe u votua propozimi i kandidatit të LDK-së për nënkryetar, ashtu siç kemi propozuar ne, dhe i dhamë institucione vendit”, u shpreh ajo.
Lushaku-Sadriu tha se LDK-ja kishte insistuar që të shfrytëzohej deri në fund dialogu dhe mundësia për propozimin e kandidatëve, ndërsa për PDK-në tha se tashmë ka një qëndrim të ri politik.
“Është situatë e re, është situatë e re për shkak se nuk ka pasur vullnet për votim të nënkryetarëve dhe nuk iu ka njoftë e drejta. Ju e patë që grupit të dytë parlamentar nuk iu votua kandidati i tyre dhe ishte e njëjta logjikë për të vazhduar”, tha ajo.
Ajo shtoi se LDK-ja do të kontribuojë për sqarimin e çështjeve që lidhen me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e institucioneve.
“Ndërkohë kemi një qëndrim politik të PDK-së për të mos marrë pjesë në seancë, gjithsesi ata do ta adresojnë në Gjykatën Kushtetuese, ne do të kontribuojmë për sqarimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë së institucioneve”, tha Lushaku-Sadriu. /Lajmi.net/